Serbia po luan bixhoz me kandidaturën e vet në BE!
Duke paraqitur projektrezolutën e saj në OKB, pa u konsultuar paraprakisht me fuqitë më të mëdha të botës, Serbia ka hyrë në një fazë të re shumë të rrezikshme dhe kandidaturën e vet në BE po e hedh në tryezën e bixhozit, paralajmërojnë diplomatë dhe analistë politikë vendës, që theksojnë se mbi Serbinë tani ka filluar të ushtrohet një presion edhe më i madh sesa më pare nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos nga ana e aktorëve kryesorë të saj, që po e paralajmërojnë atë që të mos presë integrim evropian, në rast se vazhdon me kokëfortësi politikën e saj të deritanishme. Tanimë është bërë publike ajo që ishte sekret deri tani, se Gjermania dhe Britania e Madhe, që në pranverë, e kanë kushtëzuar shqyrtimin e kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në BE me qëndrimin që ajo do të mbajë më tej ndaj Kosovës, sidomos në OKB, shkruan gazeta e përditshme serbe “Blic”, e cila dallon faktin se ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, Stiven Uordsuort, vuri në duke habinë e madhe të BE-së lidhur me paraqitjen e projektrezolutës serbe në OKB-së, duke i kërkuar Beogradit që ta tërheqë atë.
Lëvizja diplomatike më e fundit e Serbisë ka ngjallur pakënaqësi në BE, sepse ajo u ndërmor pa asnjë konsultim paraprak, por më shumë pakënaqësi ka ngjallur mënyra e sjelljes së Ministrisë së Jashtme serbe, e cila, ndërkohë që Serbia kishte paraqitur projektrezolutën e mësipërme në OKB, kishte thirrur në MPJ ambasadorët e pesë vendeve të Kuintetit (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë), duke u kërkuar atyre, për më tepër, që të bënin komentet e tyre ndaj saj, shkruan “Blici”, duke iu referuar qarqeve diplomatike, ndërsa shton se ambasadorëve nuk iu dha as vet projektrezoluta në dorë, por se ajo iu lexua atyre, më saktë, iu diktua që ata të merrnin shënime! “Kisha kohë që nuk kisha shkruar me dorë. Por, fatmirësisht, projektrezoluta nuk ishte e gjatë”, citon gazeta një nga ambasadorët e pranishëm në takimin në MPJ, duke shtuar se në qarqet diplomatike një mënyrë e tillë sjelljeje nga ana e MPJ-së serbe është konsideruar ofenduese. Në rast se Serbia nuk kthehet në tryezën e konsultimeve me BE-në për një rezolutë të përbashkët mbi Kosovën, atëherë me siguri, 22 shtete të BE-së ose, në një variant tjetër, edhe të gjithë 27 shtetet e saj do të paraqesin një projektrezolutën të veten për këtë çështje në OKB, thonë diplomatë të lartë të fuqive kryesore evropiane, të cilëve u referohet gazeta e lartpërmendur. Ndërkohë edhe SHBA, përmes ambasadës së tyre në Beograd, shpreh keqardhjen sa i përket lëvizjes së fundit diplomatike serbe, duke theksuar se “konsiderojmë se është për të ardhur keq që Serbia nuk u përfshi në konsultime serioze para se të paraqiste projektrezolutën e vet në OKB, me qëllim që të arrihej një konsensus për një tekst, të cilin do të mund ta mbështesnin të gjitha palët e interesuar”.
#