Ministri i Jashtëm grek, në misionin Beograd-Prishtinë
Ministri grek i Punëve të Jashtme, Dimitris Droutsas, do të vizitojë sot Beogradin, ndërsa nesër Prishtinën, siç njoftohet, për t'u përcjellë mesazhin e Bashkimit Europian se i inkurajon që të ulen në tryezën e dialogut për gjetjen e një "zgjidhjeje konsensuale", thuhet në një raport të BBC-së nga Athina. Më tej theksohet se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës "mund të përbëjë pikënisjen e një procesi esencial politik, që do të mundësojë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, mbi bazën e së ardhmes europiane të Serbisë e Kosovës". Me këtë arsyetim, ministri Droutsas nis turneun e tij ballkanik. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delavekuras, thotë se qëllimi i kësaj vizite është përcjellja e një mesazhi nga ana e Bashkimit Europian. "Bashkimi Europian lëviz me hapa të koordinuar dhe thekson se ky është mesazhi që do të përcjellim ne, se e ardhmja e rajonit ndodhet në Europë. Ky është mesazhi kryesor dhe këtu duhet të përqendrohemi, si dhe të dëgjojmë me kujdes pikëpamjet e të dyja palëve për hapat e ardhshëm", thotë zëdhënësi. Sipas tij, ministri Droutsas do të takohet në Beograd me Presidentin Boris Tadiç dhe me ministrin e Jashtëm, Vuk Jeremiç, ndërsa në Prishtinë me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe me Kryeministrin Hashim Thaçi. Por, zëdhënësi Delavekuras ka theksuar se implikimi i Greqisë dhe vlerësimi pozitiv i Athinës për opinionin e GJND-së nuk do të thotë se Greqia do ta njohë Kosovën, të paktën tani për tani.
#