E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet me 20 vjet burg Tufa, jo për vrasjen e Mirit të Xhikes

01/12/2011  Gjykata dënon Lavdërim Tufën si bashkëpunëtor, nuk vërtetohet akuza e vrasjes te “Kartodromi”

TIRANE- Gjykata rrëzon kërkesën për dënimin me burgim të përjetshëm të Lavdërim Tufës, dhe e dënon atë me 20 vjet burg, duke e cilësuar si bashkëpunëtor në krim, por jo si autor i vrasjes së Fatmir Ramës, Kristaq Canin dhe kamerierit Julian Drishti. Vendimi është marrë dje nga trupi gjykues, i cili pas rigjykimit të dosjes ka konstatuar se në aktet e administruara nga organi i akuzës nuk vërtetohet që i pandehuri Lavdërim Tufa është personi që ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tavolinës ku qëndronte Fatmir Rama, pronari i kompleksit “Kartadrom 2000”. Togat e zeza kanë marrë parasysh vetëm provueshmërinë që i pandehuri Tufa, ka qenë në vendin e krimit dhe nisur nga kjo ata kanë vendosur të dënojnë me 20 vite burg, të akuzuarin e Prokurorisë si autor të vrasjes së trefishtë të ndodhur në vitin 2003 gjatë kohës kur luhej ndeshja e futbollit Shqipëri-Rusi. Në arsyetimin e vendimit, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Albert Meça argumentoi se pas mbledhjes se fakteve gjykata arriti në konkluzionin se Tufa nuk ka qenë ekzekutor në ngjarjen e marsit të vitit 2003, por roli i tij ka qenë ai i bashkëpunëtorit. Në bazë të këtij argumenti, gjykata i hoqi dënimin të pandehurit për armëmbajtje pa leje, pasi në armët automatike në vendin e ngjarjes nuk u gjetën gjurmët e gishtave të tij, ndërsa e dënoi atë vetëm për akuzën e vrasjes. Në lidhje me analizat e ADN-së dhe interpretimet e tyre gjykata vendosi të pranojë konkluzionet e ekspertit italian Renato Biondo, duke marrë me rezerva konkluzionet e ekspertëve shqiptarë, ku sipas të cilëve ADN-ja e Tufës nuk përputhet me atë të përzierjes së gjakut, të gjetur në një kapuç në vendin e ngjarjes. Për sa i përket vendimit të djeshëm, Prokuroria, por dhe avokatët mbrojtës pohuan se nuk ishin dakord me dënimin e dhënë nga gjykata, duke shtuan se do apelonin vendimin. Dosja në fjalë u rikthye për rigjykim nga Gjykata e Lartë, e cila konstatoi shkelje ligjore në gjykimin e të pandehurit Tufa. Për 9 vite radhazi Prokuroria nuk u tërhoq nga dënimi me burgim të përjetshëm ndaj të pandehurit Lavdërim Tufa, i cili akuzohet prej saj si personi që vrau në 2003 pronarin e kompleksit “Kartodrom” Fatmir Ramën, Kristaq Canin dhe kamerierin Julian Drishti. Sipas konkluzioneve të Prokurorisë, nuk ka asnjë dyshim që personi që ka qëlluar mbi Fatmir Ramën ose “Mirin e Xhikes” të jetë ose jo i pandehuri Tafa, pasi një fakt të tillë e kanë vërtetuar të gjitha analizat e ADN kryer në Itali, Angli dhe së fundi në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›