Dënohet sulmi ndaj EULEX-it
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) Qendra Rajonale në Mitrovicë, përmes një komunikate për media të shtunën, ka dënuar ashpër keqtrajtimin fizik të tre pjesëtarëve të EULEX-it në veri.
“KMDLNJ, Qendra Rajonale në Mitrovicë, tërheq vërejtjen organeve më të larta të Kosovës, e posaçërisht atyre të Ministrisë të Punëve të Brendshme, që të ndërmarrin masat e nevojshme për identifikimin e autorëve të këtyre krimeve dhe vënien e tyre para drejtësisë, në mënyrë që autorëve t’u jepet dënimi i merituar”, thuhet në reagim. Sipas KMDLNJ-së, rastet e tilla tregojnë se sa serioze është situata e sigurisë në pjesën veriore të Mitrovicës dhe sa është e rrezikuar jeta e qytetarëve jo serbë atje.
“Mos zbardhja e këtij rasti dhe shumë rasteve të mëparshme, është një sinjal i keq për sigurinë dhe rendin në Kosovë, sepse krimet e pandriçuara në këtë pjesë të qytetit janë duke krijuar dhe forcuar një oazë të kriminelëve dhe strukturave paralele serbe në veri të Mitrovicës dhe më gjerë”, thuhet në komunikatë. Tre persona, zyrtarë policorë të EULEX-it, janë sulmuar fizikisht nga persona të paidentifikuar të premten në mëngjes rreth orës 02:30 në rrugën “Mbreti Petër” në veri të Mitrovicës.
Patrulla policore fillimisht kishte identifikuar dy persona të shtrirë për tokë me lëndime të dukshme, derisa disa kalimtarë të rastit po mundoheshin t’iu ndihmonin për t’u ngritur në këmbë. Rasti është kualifikuar si vepër penale “rrezikim i personave në mbrojtje ndërkombëtare”, ndërkohë që hetimet e këtij rasti do të ndiqen nga hetuesit rajonalë të policisë së Kosovës në Mitrovicë.