E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet sulmi ndaj shqiptarëve në Mitrovicë

Nënkryetari i komunës, Rizah Haziri ka ripërsëritur se gjendja e krijuar atje është shqetësuese, për arsye se grupet kriminale serbe enden të lira në Mitrovicën e Veriut.

Ai i ka njoftuar anëtarët e Komitetit, se të rinjtë shqiptarë që u lënduan rëndë, janë jashtë rrezikut për jetën.
“Nuk guxojmë të lejojmë që grupe të caktuara ekstremistësh të provokojnë situata të rënda, e aq më pak që ata t’i detyrojnë shqiptarët që të zhvendosen nga atje, sepse atëherë do të kemi telashe më të mëdha. Prandaj, skenaristëve të ngjarjeve të këtilla, duhet tu bëhet e ditur, se përgjegjësia për eskalimin e situatës do të bie mbi ta”, ka thënë Haziri.

Nënkryetari Haziri po ashtu, ka shprehur pakënaqësinë e tij që serbët e dyshuar për sulm ndaj shqiptarëve, janë liruar nga arresti. Lidhur me këtë, përfaqësuesi i policisë rajonale në Mitrovicë, Nexhip Gashi, ka thënë se ata janë liruar me vendimin e gjykatësit hetues, por ndaj tyre janë hapur hetimet.

Komandanti i stacionit jugor të policisë në Mitrovicë, kapiteni Bashkim Spahiu, ka thënë se edhe përkundër këtij incidenti të rëndë, gjendja në pjesën jugore të qytetit ka qenë nën kontroll dhe relativisht e qetë. Ai ka kërkuar angazhimin e të gjithë faktorëve për të dhënë kontributin e tyre në tejkalimin e situatës së krijuar.

Përfaqësuesit e policisë së Kosovës, ata të EULEX-it dhe KFOR-it, kanë njoftuar në mbledhjen e Komitetit për Siguri të komunës, se në lagjen “Kodra e Minatorëve” dhe në lagjet tjera veriore të qytetit të banuara me shqiptarë, janë dërguar përforcime shtesë, gjë që ka bërë që situata të mos dalë jashtë kontrollit.

Sot në orën 12:00, në “Kodrën e Minatorëve” do të mbahet një takim i shqiptarëve që banojnë atje, me drejtuesit e komunës dhe përfaqësuesit e përgjegjësve për siguri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›