Denoncimi: Më vodhën 15 milionë lekë në shtëpi
Tiranë- Pesëmbëdhjetë milionë lekë janë zhdukur dy net më parë nga banesa e Elvis Harizit, e cila ndodhet në rrugën “Ndre Mjeda” në Tiranë. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja në fjalë dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së martës, kur persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në banesë dhe kanë marrë sasinë prej 15 milionë lekësh të vjetra. Të paktën ky ka qenë denoncimi i të zotit të shtëpisë, ndërkohë që nga verifikimet e kryera rezulton se në banesë nuk ka shenja, të cilat mund të ngrenë dyshimin se grabitësit kanë hyrë më forcë brenda saj. Nga ana e saj, efektivët e Policisë së Tiranës kanë mbërritur në vendngjarje menjëherë pas marrjes së denoncimit dhe kanë nisur punën për zbardhjen e saj. Në bazë të provave të grumbulluara deri më tani si dhe të dëshmive të familjarëve dhe të fqinjëve të familjes Harizi, grupi hetimor ka ngritur dyshimet se grabitja mund të jetë kryer prej të njohurish të familjes. Pavarësisht dyshimeve të ngritura, blutë e kryeqytetit janë duke vijuar punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe gjetjen e personave përgjegjës të kësaj grabitje. Th.S