Denoncimi i mjekes: “Më nxorrën në pension pa mbushur moshën”
Emanuela Sako
Dalja e shpejtë në pension e ka bërë që të luftojë më tepër se në fillimet e karrierës për rifillimin e punës. Kardiologjia është profesioni i saj me të cilin ka lidhur gjithë jetën dhe mendon se janë prapaskenat ambicioze profesionale ato që nuk e lejojnë të rikthehet në pozitat e mëparshme. Mjekja Ekokardiografiste, Lutfije Muka, me gradën shkencore Profesor i Asociuar Doktor, kërkon të rikthehet në pozicionin e Ekokardiografistes, pas 3 muajve largim nga puna. Shkaku i largimit është mbushja e moshës së pensionit, por ajo mendon se kjo nuk është e vërteta. Sipas saj, ajo është e domosdoshme në këtë pozicion pune për shkak të nevojës që ka vetë spitali, por prapaskena e kanë larguar atë. Ndërkohë që kërkesa e saj i është drejtuar Ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, Drejtorisë së QSUT-së dhe Shefit të Shërbimit, Spiro Qirko. “Më pak i arsyeshëm është treguar Shefi i Shërbimit, Spiro Qirko, i cili ka qenë i pari që ka kërkuar largimin tim për zëvendësimin me mjekë të rinj, që nuk mund të jenë në ato pozicione në krahasim me punën time shkencore dhe gradat që kamë fituar”,- shprehet Mjekja Muka. Sipas saj, QSUT-ja ka vetëm 5 mjeke me këto tituj dhe për të është e rëndë që në kulmin e karrierës, duke pritur dhe titullin Profesor Doktor, ta largojnë nga puna. Aktualisht, në QSUT dhe në mjaft spitale të vendit,shumica e mjekëve janë mbi moshën e pensionit. Kjo ndodh për shkak të nevojave që kanë spitalet për mjekët të kualifikuar. Ngushëllimi i vetëm për të është puna që kryen në Qendrën Diagnostikuese private “Ikeida”.
Rregulli
Mjekja Muka ka mbushur moshën e pensionit, pasi është 58 vjeçe. Por, duke pasur parasysh se ligji parashikon që për nevojat e spitaleve dhe vlerësimi i mjekëve me grada shkencore është gjithmonë një prioritet për mjekët, kërkon rikthimin në punë në Shërbimin e Kardiologjisë në QSUT. Ajo ka punuar për 35 vite me radhë në këtë pavijon dhe kërkon që të shmangen burokracitë për ta lejuar rikthimin në punë. Këtë situatë ia ka paraqitur edhe Ministres së Shëndetsisë, Anila Godo, e cila e ka mbështetur në iniciativën e saj dhe nevojat për specialistë të mirëfilltë që kërkon shëndetësia sot. Por, ende nuk është marr një konfirmim zyrtar dhe aktualisht mjekja qëndron në pritje të ndonjë telefonate, e cila do t’i lejonte asaj punësimin në këtë qendër.
Punësimi
Aktualisht, Ekokardiografistja ushtron profesionin e saj në Qendrën Diagnostikuese private “Ikeida”. Ajo thekson se është ndër të rrallët mjek që nuk ka pranuar të ushtrojë profesionin e saj në një klinikë private, por rrethanat ia lejuan që para dy muajve të pranonte ofertën që i erdhi menjëherë pasi kolegët e saj mësuan largimin nga puna. Ndërsa thekson, se të vetmit që nuk e kanë braktisur janë pacientët që kanë krijuar besim tek puna që kryen ajo.
24 Tetor 2008