E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse Himara është zonë shqiptare



Ibrahim D. Hoxha*

Gjithsaherë qeverive të njëpasnjëshme greke, nëpërmjet renegatësh dhe shoqëri renegatësh si “Bashkimi Ipirotik”, “Sillogu i Veriipirit” etj., “u ka marrë lopata ujë”, në Himarë dhe në pjesën jugore të Toskërisë kanë shkaktuar gjakderdhje e trazira. Në të vërtetë “megaliideistët” Himarën e kanë përdorur – dhe e përdorin - si grep për të gëlltitur tërë Toskërinë, prej tyre e quajtur “elinikotati hóra” (vend tërësisht grek). Për kryerjen e kësaj grabitërie janë vërsulur më 1854, 1878, 1897, 1912-1916, 1940-1941, 1949, madje edhe që nga 1990-a e këndej, sado që me mjete dhe mënyra të tjera. Shtënia e kthetrave të veta në disa nga degët më kryesore të ekonomisë, për shqiptarët është “therje me pambuk”.
Për t’u freskuar kujtesën mjafton përmendja vetëm e disa prej tyre. Kur kryengritësit shqiptarë (1912) ishin në prag të njëfarë mëvetësie shtetërore, Lefter Venizellua shpalli: “Po qe se Turqia nuk do të jetë në gjendje të mposhtë kryengritjen në Shqipëri të Jugut, do të dërgojë Greqia ushtarë për ta bërë këtë gjë”. Kurse në “Patris” thuhej: “Poshtë duart nga Ipiri, se fuqia greke do t’ju thyejë!; dhe kur kërcënimeve të tyre s’ua vunë veshin, qeveria greke zbriti hajdutërisht në anëdetin shqiptar përballë Korfuzit 3 prej atyre çetave të veta. Mirëpo dy prej tyre u shpartalluan natën e 9 e 10 shtatorit 1912 në Çukë të Sarandës, kurse e treta, e prirë nga Thimjo Loli, pas 4 ditësh në fshatin Krané. Meqë kusarët e saj i asgjësuan luftëtarët shqiptarë, qeveria greke zbriti në Himarë një batalion të drejtuar nga Spiro Milo Zani, ”komandant i pushtìmit të Himarës” (Foti Manu “Apo to Ipirotikón”); tok me ta edhe 2000 pushkë me municionet dhe pajisjet e tjera. Këtë farë komandanti, ish-punëtor anijesh tregtare, ushtar grek, andart në Maqedoni, vrasës i papa Kristo Negovanit me shokë, kryetar i “Bashkimit Ipirotik” që drejtohej prej oficerëve të shërbimit të fshehtë ushtarak grek, AMVE, në Himarë e zbritën “me një kryq të varur në qafë, në ngjashmëri me kryqtarët e kohërave të kaluara”. Siç shkruhej në “Dielli” “për xhepin e tij gjer më sot në Greqi ka trazuar shumë punë kundër Shqipërisë” dhe se shumë herë në Himarë ka shkaktuar vrasje atdhetarësh.
Në muzgun e thellë të mëngjesit të 18 tetorit 1912 ushtria greke iu turr Jugut Shqiptar dhe pas një muaji mundi t’u kërciste në dyer Janinës, Margëllëçit dhe Paramithisë. Më 20.11.1912 L. Venizellua urdhëroi flotën të pushtonte Vlorën dhe, nëse ishte e pamundur, të zbriste “medoemos në Sarandë”. Dhe, që të mund të çahej sa më lehtë e më shpejt nëpër Labëri, të kërkonte përkrahjen e Spiro Milos, “që ndodhet në Himarë e që u lajmërua me tejshkrim për zbatimin e këtij urdhri”. Në vijim të atij urdhri, më 8.12.1912 dy kryqëzorë grekë goditën Sarandën dhe i mundësuan vaporit “Athina” dhe një tjetri të shkarkonin në qytet një njësi prej rreth 5000 ushtarakësh. Ministri i Luftës, Stratosi dhe gjeneral Sapunxhaqi, më 10.12.1912 komandantin e njësisë e urdhëruan që të çante drejt Delvinës dhe në bashkëveprim me Spiro Milon të pushtonin Kurveleshin. Mirëpo, kur po i turreshin qytetit të lakmuar, në Bamatat e malin e Finiqit i shpartalluan luftëtarët e Delvinës dhe të Gjirokastrës. Të nesërmen mezi mundën të ktheheshin në Korfuz. Spiro Milua nuk guxoi të bënte “gëk” dhe të dilte nga “vatha”. Madje, pasi të 5000 ushtarët grekë ia kishin mbathur, Spiro Milos po i dridhej toka nën këmbë; andaj më 21.11.1912, nëpërmjet dy tejshkrimeve dërguar kryeministrit L. Venizello e gjeneral Sapunxhàqit –komandant i njësive mësymëse nëpër Çamëri dhe drejt Janinës- u kërkonte t’i dërgonin “sa më shpejt 2-3 kompani evzonësh dhe 100 horofillakë, nëse nuk gjendet fuqi tjetër”. Më tej ai shtonte: “...gjendja do të ndryshonte nëse pas pushtimit të Himarës do të binte Janina dhe ushtria greke të marshonte gjatë gjithë Epirit... Sugjerova pushtimin e menjëhershëm të Vlorës dhe të Sarandës, për t’i dhënë një goditje përfundimtare veprimtarisë së shqiptarëve. Pushtimi i menjëhershëm i këtyre dy pikave do të ketë si pasojë nënshtrimin e plotë të shqiptarëve, që janë të shpërndarë në të gjitha pikat brenda zonës nga Vjosa në Kalamà; e kundërta, lënia për një kohë më të gjatë e Vlorës dhe e Sarandës nën sundimin turk, ka të ngjarë të sjellë pasoja të dhimbshme, të cilat do ta bëjnë problematik dhe pa mbrojtje efektive fatin e Himarës; pa Himarën ideja shqiptare do të humbasë një nga pikëmbështetjet e saj kryesore; kështu do të shfuqizoheshin përpjekjet e shqiptarëve, të cilët mundohen të tregojnë epërsinë e tyre mbi pjesët kryesore të krahinave të kërkuara prej nesh... Shumë herë kërkova përforcimin tonë me ushtri të rregullta dhe pushtimin e Vlorës dhe të Sarandës”.
Luftëtarët shqiptarë, duke mos dashur të derdhnin gjak shqiptari në dobi të Greqisë, u mjaftuan hëpërhë me mbylljen e tij në Himarë dhe në fshatrat fqinje me të. Kjo gjendje mbeti e pandryshuar deri në prill 1914, kur qeveria greke shpiku një tjetër proçkë. Pasi kishte pushtuar Çamërinë dhe Janinën, ushtria greke mundi të arrinte në afërsi të Elbasanit, për të vendosur kufirin shtetëror aq të lakmuar gjatë rrjedhës së Shkumbinit. Për arritjen e kësaj grabitërie, në krye të ushtrisë pushtuese greke në qarkun e Gjirokastrës, vuri renegatin labovìt, Jorgj Kristaq Zografi, ish-ministër në Athinë. Në rrethana të tilla Spiro Milo Zani guxoi të qiste zverk dhe të delte nga kuvlia e deriasokohshme. Shikanetë e tij nëpër fshatrat shqiptare islamike ishin nga më përbindshmet, sidomos në Fterrë që e shkrumoi. Më 17.8.1914 -pra të nesërmen e ngritjes në Gjirokastër të laramanit grek, Spiro Milo Zani shkëputi Himarën dhe fshatrat anëdetare pranë saj nga përbërja e shtetit shqiptar dhe shpalli ngjitjen me shtetin grek.
Në “Gazeta Shqiptare” dt. 10.6.1930 bëhej e ditur se ditët e afërta Sp. M. Zani ishte shporrur nga kjo botë. “Veprimet e tij pa pikë turpi e mëshire kundër nesh –veçanërisht kundër Gjinokastrës, Kurveleshit e gjetkë në kohën e Veri-Epirit si edhe të mëvonshmet kundër shtetit shqiptar nëpërmjet Sillogëve V-E, janë shumë të njohura dhe të përmendura”. Edhe pse “rracë shqiptare, e urrente emrin e atdheut të vet; ishte një nga armiqtë e rreptë të tij. Spiro Milua ishte jo vetëm atdhemohues, jo vetëm përndjekës i idesë kombëtre, por edhe pa pikë karakteri e kapriçoz; nuk i largohej kurrë krimit, mjafton të përmbushte inatin e tij dhe të kënaqte egoizmin e vet protogjen!”. Në “Demokratia” dt. 14.6.1930 thuhej: “u zhduk”, me ankthin që s’pa “flamurin grek të valojë në brigjet e Himarës…Spiro Milua me dyfek në dorë ka luftuar vazhdimisht patriotizmën shqiptare”. Në fletoren “Albania” dt. 24.6.1930 thuhej se Spiro Milua “m’i madhi armik e tradhëtar i kombit ton녔 ato ditë në Athinë kishte harruar të merrte frymë. Në Albania(“Shqipëria”) dt. 10.4.1919 thuhej: Spiro Milua, Hrisiàdhi nga Korça dhe Esadi gjithë jetën e tyre për të huajt kanë punuar, ndërsa atdheut të tyre kurdoherë janë përpjekur t’i bëjnë varrin”. Kurse në “Korça” dt. 15.9.1923 thuhet se Niko Milua, duke përfituar nga pamjaftueshmëria e domosdoshme e fuqisë së shtetit shqiptar, dëboi zyrtarët shqiptarë; u deshën 10 muaj për t’i dhënë fund asaj gjëndjeje të mërzitshme. Qeveria shqiptare caktoi qarkkomandant të xhandarmërisë në Vlorë kapiten Haziz Halil Çamin. Nëpërmjet Qafës së LLogaràit me një battalion gjindarmësh zbriti në Himarë dhe u dha hundët në duar çapaçulëve të milove. Sipas urdhërit të tij, kapiten Ismail Haki Kuçi prej Qafës së Drrasës dhe Pilurit zbriti tatëpjetën për në Himarë dhe brenda ditës atje u rivendosën organet përkatëse të shtetit shqiptar.
Pas tërë sa kanë ndodhur çdokush që shitet e blihet, duhej t’i kishte vënë gishtin kokës e mbledhur mendjen; po ja që ka ende ndonjë që Athina vazhdon ta ndjellë me dhrahmi. Kjo u duk sheshit pas 1990-s, kur në shtetin shqiptar pa kurrfarë pengese a ndrojtjeje hyri edhe derri e dosa greke. Vasil Bollanua u harbua aq sa veç shëmtimeve të tjera greke në një vend shqiptar, guxoi të zëvendësonte edhe emërtimet shqip me greqisht, duke i dhënë kështu Himarës një ngjyrë greke. V. Bollanua me shokë le të shpallen grekër, po Himarën s’kanë si ta bëjnë greke, sepse është pjesë shqiptare brenda Shqipërisë. Greqinë e dëshiruar e kanë në ujdhezat për ballë. Meqë u ka hyrë kaq shumë në zemër, le të venë, s’e merr kush mundimin t’i pengojë: rruga është më e gjatë se e gjerë. Qeveria greke s’ka lejuar kurrë brenda shtetit grek ndonjë ministër a deputet shqiptar të shkojë tek bashkatdhetarët e vet çamër apo arvanitë e lere më t’i lejojë të propagandojnë gjëkafshë në të mirë të tyre. Gjatë Luftës II Botërore për çlirimin e Greqisë nga pushtimi nazi-fashist ka luftuar edhe batalioni IV i regjimentit XV ELAS-sit, i përbërë prej mbi 500 luftëtarë çamër islamikë; gati gjysma e pjesëtarëve të tij u flijuan gjatë luftimeve kundër gjermanëve dhe bashkëluftuesve të tyre. Megjithatë Greqia BE-iste(!!!) s’ka lejuar t’u mblidhen kufomat në një varrezë të përbashkët e lere më pastaj t’u ngrejë edhe një përmendore. Krejtësisht ndryshe nga qeveria greke vepron ajo shqiptare: lejon grekërit të ngrenë varreza të shpikura për ushtarët e tyre që u vërsulën për gllabërimin e shtetit shqiptar.
* *
Prokopi i Çezaresë dhe Emil Izamberi thonë se Himarën e pati shkatërruar Pal Emili, po e ringriti Justiniani në rrënojat pelasgjike të Chìmerës së lashtë. Dhe Himera –emër i përngjitur shqip-greqisht që do të thotë vend me vranësira- në lashtësinë e hershme quhej krahina anëdetare ndërmjet Pàrgës dhe Shplàncës. Historiani i ditëve në vijim, Spiro Muselimi shkruan: në pllajën „Shtegu“ pranë Shplancës gjënden mbeturina muresh të Himerës. Mbetet të zbulohet: u zhvendosën himerianët atje ku sot gjëndet Himara, apo edhe anëdeti deri këtu quhej Himera? Vetëm një gjë është krejt e vërtetë. Banorët e Himeras e të krejt Çamërisë si edhe ata të Himarës edhe vite pas pushtimit osman ushtronin besimin kristian katolik. Sundimtarët osmanë, për të mënjanuar ndikimin e shteteve të fuqishme katolike evropiane, ndikuan që popullata të përqafonte islamin apo ortodoksinë, krerët e të cilëve ishin nënurdhës të sulltanit.
Himara –siç dihet- ndodhet në anëdetin perëndimor të Kaonìsë së Lashtë, Labërisë së sotme, pra 100 e ca km në veri të Gjirit të Prévezës, ndarësi i përjetshëm ndërmjet grekërve dhe shqiptarëve. Hekateu, Herodoti, Polibi, Straboni etj. njëzëri shkruajnë: Greqia mbaron në Akarnanì, ndryshe e quajtur “Greqia Perëndimore“, pra treva në jug të Gjirit të Prevezës. Gjeografi grek, Shilaksi, shkruan: „Poshtë kaónëve gjënden thesprotët e qasópët dhe pas tyre mollosët“. Fr. Pukëvili shkruan: „Në Kaonì dhe Thesprotì shqiptarët janë vendës“. Chi Scymni shkruan: „Kaónët dhe thesprotët janë barbarë“, pra jo grekë. Jo. Leonklavius thotë: „Himara është pjesë e Shqipërisë“. Franc V. Schleigeri shkruan: „Shqiptarët në jug shtrihen deri në Gjirin e Ambrakisë, kurse në lindje deri në vargmalin Pind”. U. M. Liku shkruan: „Në jug të fisit shqiptar, lebërve, vijnë çamërit, të cilët mbulojnë anëdetin dhe shtrihen gjer përtej Sulit...Në tërë historinë greke, prej fillimit e gjer në kohën e sotme gjejmë një popull krejt të ndryshëm prej grekërve, si nga raca, si nga gjuha. Gjeografët e historianët e lashtë grekë: Shilaksi, Straboni e Thuqididi banorët e maleve mbi Gjiun Ambraqik i quanin barbarë që flisnin tjetër gjuhë, pikërisht si ajo që përdorin shqiptarët e Epìrit, gjuhë e ndryshme nga greqishtja. Gratë flasin vetëm shqip, kurse burrat dinë edhe greqisht e italisht, se kanë shërbyer kohë në Greqi e Itali. G. Lejani, shkruan: „Deri në Gjirin e Prévezës flitet gjuha shqipe“. Lord Bajroni, i cili në shtator 1809 nga Patra arriti në Prévez, shkruan: „Së pari shkela në Shqipëri“. Prof. Paparusi në „Neológos“(1910) shkruan: “Himara ka qenë gjithmonë principatë veturdhëruese në Shqipëri, nën princin shqiptar, Gjergj Shtresën“. E. Izamberi thotë: „Himarasit janë shqiptarë“. Fr. Pukëvili i quan: “Arnaùtë të prapë”, ngase, duke qenë tejet të varfër, plaçkitnin lundrat e tregtarëve që kapnin në anëdetin e tyre. Eduard Doduelli i quan: “Racë shqiptare grabitqare dhe të këqinj”. Përfaqësuesi i qeverisë greke në Shkodër në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizenit, Epaminonda Mavromàti shkruan se asokohe në Shkodër gjëndej prej vitesh një djalë nga Himara. Kur i ati vajti ta takonte, fillimisht patën vështirësi gjatë bashkëfjalimit, sepse i ati përdorte toskërishten, kurse i biri gegërishten. Jan G. Sharra nga fshati Kastrizë e Gumenìcës, historian i ditëve tona, shkruan: “Gjuha që flasim është shqipja, e trashëguar nga brezi në brez si gjuhë amtare...“. Mbi të gjitha përkatësinë kombëtare të tyre himarasit e kanë pohuar vet në këngët e veta popullore: “Ne duqani Kiço Sharrës,/ kapetan, more Nasé./ Ngreu, Nase, shko përpara…” e nuk thuhet: “Sto magazi t’u Kico Saras,/ kapetanjos, vre Nasé./ Shiku Nase, prohorà mbrostà”. Po kështu: “Vajz’e valave, prêt atë që prêt…” e jo “Kopela ton qimaton,/ perimeni afto pu perimeni…”. Pra, si mbinë, o V. Bollano “grekërit” në një krahinë tejtëhu shqiptare?! Ja kalove edhe vet Spiro Milo Zanit!.

Autori I shkrimit është historian dhe studiues i folklorit

24 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›