Prapa “shkëlqimit” të një Konference Ndërkombëtare
Më datat 17 dhe 18 tetor 2008 u zhvillua në Tiranë Konferenca IV e vendeve të Europës Juglindore (E.A.U 4 South European Meeting) nën patronazhin e Shoqatës Europine të Urologjisë, e cila përfundoi me sukses. Mbi 300 urologë në vendet e Europës Juglindore dhe më gjerë morën pjesë në këtë konferencë. Nën drejtimin e profesor Abrahamson dhe profesor Magberger u mbajtën referate. Urologët më të shquar nga vendi dhe rajoni, si profesor Misic (Beograd), prof. Leshov (Shkup), prof. Esen (Stamboll), prof. Thanos (Athinë), ishin promotorët e konferencës. Ky aktivitet që u vlerësua shumë për organizimin e tij dhe vlerat teorike që shpalosi ishte një kontribut i urologëve shqiptar që u paraqitën me 17 referate. Tematika ishte e gjerë, por kryesisht problemet u përqendruan te kanceri i veshkës, i prostatës, tumoret e surenales, adenoma e prostatës, inkontinenca urinare etj. Aty u paraqitën arritjet më të fundit të urologjisë siç janë ndërhyrjet laparaskopike dhe ato me robot në kancerin e prostatës. Asgjë në paraqitjen e jashtme nuk ishte nën nivelin e këtyre lloj konferencash. Ambient e Hotel- Tiranës, fonia, ndriçimi ishin bashkëkohor. Sigurisht që ndihesh krenar që kolegët të cilët u befasuan me këtë realitet, por nga ana tjetër ndjeva një keqardhje dhe përgjegjshmëri për nivelin në të cilin ndodhet Urologjia shqiptare. Ky ambient ku u zhvillua konferenca është në kontrast të plotë me Shërbimin e Urologjisë. Ku një pjesë e infrastrukturës lë shumë për të dëshiruar, teknologjia e prapambetur në shumë raste është kthyer në stoqe aparaturash që nuk funksionojnë. Ambientet ku punojnë mjekët dhe ku kryejnë aktivitetin 24 orësh është jashtë çdo standardi të pranueshëm. Niveli i laboratorëve sidomos për kërkimet nuk lejon të ecësh përpara me mungesa të shumta në aparatura. Punimet e urologëve tanë ishin kryesisht të karakterit klinik dhe në krahasim me ato të kolegëve të rajonit ishin më të varfra sepse mungonte laboratori dhe teknologjia e duhur. Ka vite që nuk bëhen investime në Urologji dhe fondet janë me mungesa të shumta. Ky specialitet ka pësuar një rritje të konsiderueshme në 20 vitet e fundit për arsye të jetëgjatësisë gati të dyfishuar. Sëmundje si adenoma e prostatës dhe çrregullimet e ereksionit kanë një rritje të ndjeshme dhe kërkojnë një zgjidhje adekuate. Shërbimi përgatitet për të kryer transplantimin e veshkës në bashkëpunim me Shërbimin e Imunologjisë, Nefrologjisë në kuadrin e projektit Intereg 3 me stafet respektivë të Poliklinika di Bari. Njëkohësisht duhen plotësuar disa kushte që janë të domosdoshme dhe nuk mund të zgjidhen me iniciativa revolucionare, apo dëshira të pabazuara. Shërbimi i Urologjisë për të arritur në standarde të rajonit ka nevojë për disa aparatura si Lithotriptori që ka ardhur në Shqipëri në 1995 dhe ka tre vjet që është jashtë funksionit (i vetmi në sistemin publik të vendit). Pajisjet të kirurgjisë endoskopike që ka filluar që në vitin 1993 duhen ripërtërirë me teknologjinë e kohës. Futja e pajisjeve për kirurgjinë laparoskopike (shumë e përdorur sot në botë). Ndërtimi dhe pajisja e ambulatoriumit të Urologjisë me kabinetet përkatëse si: ekografia, biopsia, andrologjia, urodinamika dhe ekzaminimet me procedura funksionale. Plotësimi i këtyre kushteve do sillnin urologjinë shqiptare në nivele bashkëkohore. Kjo do vullnet politik dhe politika të qarta dhe largpamëse të stafit të Ministrisë së Shëndetësisë. Kësisoj niveli i shërbimit ndaj pacientëve do të ishte më i mirë, kostoja e një pacienti më e ulët dhe këta të fundit nuk do bridhnin nëpër klinikat e vendeve fqinje për ta marrë këtë shërbim. Kam besim që stafi i Ministrisë së Shëndetësisë do i ketë parasysh, sikundër kam besim tek stafi i Shërbimit që me plotësimin e këtyre kushteve do rrisë dukshëm nivelin e tij tekniko-shkencor.
Shefi i Shërbimit
Prof. Mustafa Xhani
24 Tetor 2008