Thaçi: “Bisedime me Beogradin, vetëm si dy shtete të barabarta”
Prishtina mund të bisedojë me Beogradin vetëm në nivel të barabartë për interesa të dy shteteve dhe popujve. Ky ka qenë qëndrimi që ka përsëritur dje kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi para ministrave të qeverisë së tij, pas informacioneve të ditëve të fundit për mundësinë e bisedimeve të reja Kosovë–Serbi.
Thaçi rikonfirmoi gatishmërinë për ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha vendet fqinje, përfshirë Serbinë. Kryeministri gjithashtu vlerësoi të suksesshme vizitën e fundit në Itali, gjatë të cilës tha se ka marrë vazhdimin e mbështetjes për Kosovën. Ndërkohë OKB-ja është impenjuar me bisedimet indirekte mes Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e çështjeve që kanë mbetur pezull si doganat, gjyqësori etj.
Drashkoviç: “Serbia do të hyjë në BE pa Kosovën”
Kryetari i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe, Vuk Drashkoviç ka deklaruar se Serbia do të hyjë në Bashkimin Europian pa Kosovën.
“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian nuk ka të bëjë me Kosovën, sepse në Kosovë nuk ka Serbi”,- ka thënë Drashkoviç për të përditshmen “Politika”. “Kur isha ministër i jashtëm dhe shef i ekipit negociator me BE-në filluan bisedimet tona për Asocim Stabilizimin. Ne e nënshkruam dokumentin pa Kosovën, dhe ai nuk ka të bëjë me Kosovën”,- ka thënë Drashkoviç. Ish shefi i diplomacisë serbe ka shtuar se Serbia “nuk ka kurrfarë pushteti shtetëror ndaj Kosovës”.
Tadiç: “Podgorica është përzier në punët e brendshme të Serbisë”
Presidenti serb, Boris Tadiç deklaroi se Mali i Zi me njohjen e Kosovës është përzier drejtpërdrejt në punët e brendshme të Serbisë. Deklarata e Tadiç u bë gjatë një interviste për televizionin shtetëror të Malit të Zi, duke shtuar se Serbia asnjëherë nuk do të përzihet në punët e brendshme të shtetit malazez. Tadiç deklaroi se, demonstratat në Podgoricë kundër vendimit qeveritar për njohjen e Kosovës janë çështje e brendshme e Malit të Zi, për të cilën Serbia nuk dëshiron të përzihet.
Ai vlerësoi se vendimi i Qeverisë malazeze për njohjen e Kosovës është i kushtëzuar sipas interesave të brendshme, dhe është një vendim legjitim ashtu siç është vendimi i Serbisë për t’u kujdesur për interesat e saj. Tadiç tha se shpreson se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të vlerësojë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në mënyrë të paligjshme.
24 Tetor 2008