E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis rikonsktruksioni i rrugës tek “Bregu i Lumit“



Një nga zonat më problematike të kryeqytetit do t’i nënshtrohet rikonstruksionit për rehabilitimin e të gjitha pjesëve më problematike. Kështu, një investim nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, me vlerë rreth 28 000 000 lekë do të bëjë të të mundur rikonstruksionin e rrugës tek “Bregu i Lumit”. Rehabilitimi i kësaj rruge e cila bën pjesë në territorin e Njësisë bashkiake numër 11, do të jetë një shembull për një qytet të integruar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, i pranishëm gjatë fillimit të punimeve u shpreh se do të bëhet gjithçka duhet, nga ujësjellësi tek kanalizimi, rruga, trotuaret, në mënyrë që këta fëmijë të mund të jenë këmbësorë të pakërcënuar nga makinat, të moshuarit po ashtu, dhe nga ana tjetër makinat të mund të lëvizin lirisht. Qëllimi i kësaj ndërhyrje, është transformimi cilësor i jetës së përditshme të komunitetit që banon në këtë zonë, duke i dhënë një cilësi të re urbane. Rruga ka një gjatësi prej rreth 600 metra linearë dhe projektuesit kanë parashikuar zgjerimin e rrugës në të gjithë gjatësinë e saj, nga 5 në 7 metra. Ndërkohë që në të dy krahët do të ndërtohen trotuare të reja me një gjerësi prej 1.5 metrash. Njëkohësisht është parashikuar të ndërtohet rrjeti i ri i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe atyre të zeza, si dhe do të realizohet ndriçimi rrugor që mungon krejtësisht.

Seminar ndërkombëtar për rrezikun nga Hepatitet Virale

Përhapja e Hepatiteve Virale është bërë tepër shqetësues në të gjithë botën. Mënyrat e parandalimit të tij do të trajtohen në një seminar ndërkombëtar që do të mbahet në datat 25-26 tetor, në Qendrën e Kulturës së Forcave të Armatosura në Tiranë. Seminari organizohet nga Departamentet përkatëse të Sëmundjeve Infektive të Universitetit të Tiranës dhe atij të Barit (Itali). Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se tema të diskutimeve në këtë seminar do të jenë epidemiologjia HBV, epidemiologjia HCV, diagnostika HBV dhe HCV, etj. Gjithashtu, temë e diskutimeve të pjesëmarrësve do të jenë dhe situata e hepatiteve në vendin tonë, si dhe bashkëpunimi italo-shqiptar në këtë drejtim, etj. Sipas burimeve nga MSH-ja, hepatitet përfaqësojnë sëmundjet infektive më të përhapura në botë, ku janë të infektuar nga Hepatiti B 2 bilion njerëz në botë. Për Hepatitin C ka 170 milion të infektuar në të gjithë botën dhe 20 mijë të infektuar çdo vit. Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 1991 iu drejtua vendeve të botës për të përfshirë vaksinimin kundër Hepatit B në programet kombëtare imunizuese. Ndërkohë që vendi ynë ka patur një prevalencë prej 18 për qind të Hepatitit B, me të dhëna të përafërta me vendet e Azisë së largët. Shkaqet e hepatitit janë viruset A, B, C, D, E , si shkaktarët më të shpeshtë, lëndët kimike toksike, alkooli, mikrobet bakteriale, radiacioni (rrezet), disa sëmundje gjenetike etj.

Godo zhvillon takim me Urologët Pediatrikë italianë

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, zhvilloi një takim me Urologët Pediatrikë Italianë, të cilët kryejnë ndërhyrje kirurgjikale tek fëmijët. Ekipi i urologëve pediatër italianë bashkëpunojnë që prej 10 vjetësh me mjekësinë shqiptare për kryerjen e ndërhyrjeve të vështira operacionale, më problematike tek fëmijët. Çdo vit ata kryejnë rreth 15 ndërhyrje të vështira tek fëmijët. Doktor Gianantonio Manxoni, urolog pediatër, u shpreh se ekipi italian prej 10 vjetësh kryen ndërhyrje të vështira tek fëmijët dhe numri i personave që kanë operuar deri tani është i madh. Sipas kirurgut pediatër, Dritan Alushani, fëmijët operohen nga anomalira dhe kongjentale të lindura, të cilat janë të rralla ose edhe të shpeshta. Në vendin tonë, regjistrohen rreth 300 raste në vit të deformimeve tek fëmijët, 15 ndër të cilat asistohen nga ekipi i mjekëve urologë pediatër italianë.

24 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›