Presidenti Bush firmos sot protokollin e Shqipërisë për në NATO
Presidenti i SHBA-ve Xhorxh W. Bush, do të firmosë sot në një ceremoni zyrtare, Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO duke plotësuar kështu dëshirën e dy vendeve për të qenë sa më parë pranë Aleancës. Nënshkrimi i Presidentit amerikan, vjen pas vendimit të një muaji më parë që mori Senati i SHBA-ve, i cili ratifikoi me votë unanime Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. E veçanta e kësaj ceremonie, ka të bëjë me faktin e organizmit të saj por jo vetëm. Një ceremoni e tillë, është e para që zhvillohet nga Shtëpia e Bardhë, pasi herët e tjera, nënshkrimi i protokolleve, është bërë larg ceremonive zyrtare. Kjo ishte zgjedhja e Presidentit amerikan Xhorxh W. Bush dhe përveç faktit që konsiderohet akt simbolik, është edhe një vlerësim dhe mbështetje për Kroacinë dhe Shqipërinë, në përgjithësi, por edhe për qeveritë e tyre, në rrugën e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut Verior edhe me vendet të gadishullit të Ballkanit. Në ceremoninë e nënshkrimit, do të jenë të pranishëm, edhe senatorë e kongresmenë amerikanë, anëtarë të komisionit të jashtëm të Senatit të SHBA-ve, përfaqësues të trupit diplomatik, miq dhe dashamirës të të dy vendeve. Rreth një muaj më parë, Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ratifikoi Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Ratifikimi i këtij protokolli nga SHBA-të, i hap rrugë procesit të përshpejtuar të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, pas ratifikimit edhe nga vendet anëtare dhe anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë e Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Shqipëria mori ftesën për anëtarësimin në NATO në samitin e Bukureshtit më 3 prill 2008. Më 9 gusht të këtij viti, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në Bruksel Protokollet e Anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Deri tani parlamentet e Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Rumanisë dhe Senati i SHBA-ve, kanë ratifikuar protokollin e Shqipërisë në NATO. Nënshkrimi nga gjithë vendet anëtare pritet të përfundojë para samitit të ardhshëm në pranverë.
Prishtina kundër kushteve të Ki Munit për vendosjen e EULEX-it
Politikanët dhe analistët kosovarë kanë reaguar dje ndaj letrës që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun i dërgoi përfaqësuesit të lartë të BE-së, Havier Solana. Në këtë letër Ki Mun kërkonte që misioni EULEX të jetë neutral në lidhje me statusin e Kosovës. Udhëheqësit politikë kosovarë ndaj letrës janë shprehur se misioni EULEX duhet të funksionjë në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Ndërsa analistët, thonë se kërkesa e Ban Ki Mun-it, tregon qartë dallimet konceptuale, që kanë OKB-ja dhe BE-ja në lidhje me statusin e Kosovës. Neutraliteti i EULEX-it thotë Ban Ki Mun, shihet si imperativ, nëse synohet që EULEX-i të jetë funksional në Kosovë. Por udhëheqësit politikë kosovarë dhe analistët thonë se misioni i ri i BE-së duhet të funksionojë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe jo të ketë një status neutral për faktin që për këtë nuk ka mandat. Udhëheqësit politikë rikujtojnë se kuvendi i Kosovës edhe në deklaratën e pavarësisë mirëpret misionin europian, i cili ka për detyrë vetëm mbikqyrjen e zbatimit të pakos së Marti Ahtisarit, e cila Kosovën e përcakton shtet të pavarur. “Ne do ta zbatojmë pakon e Ahtisarit. EULEX-i është një strukturë e përbërë nga vendet e BE-së dhe prezencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse kjo ka qenë ide dhe kërkesë edhe e jona dhe mendojmë se e gjithë veprimtaria e këtij misioni duhet të përputhet me pakon e Ahtisarit. Mandat tjetër nuk ka”,- është shprehur presidenti Sejdiu për seksionin shqip të radios gjermane Dojçe Vele.
24 Tetor 2008