Denoncimi, linja për mbrojtjen e fëmijëve, 400 telefonata në ditë për dhunën
Plot 400 telefonata në ditë ose 17 të tilla në orë bëhen nga fëmijë të dhunuar apo dëshmitarë të ngjarjeve abuzive, në linjën e telefonit “Alo 116”, për mbrojtjen e të miturve. Kjo linjë është ngritur që prej qershorit të vitit të kaluar dhe tashmë ajo e ka shtrirë rrjetin e saj në të gjithë vendin. Linja e telefonit për fëmijët, tashmë ka zgjeruar shërbimet e saj, në ambientet e reja pranë Qendrës për Mbrojtjen e Fëmijëve në Shqipëri. Në inaugurimin e zyrave të reja ka marrë pjesë edhe zonja Teuta Topi, e cila i ka bërë apel qeverisë dhe strukturave të saj, që të marrin masa për reduktimin e rasteve të dhunës që raportohen. “Kemi ende probleme të dhunës në shoqëri, në familje. Prandaj ka dalë shumë e domosdoshme që të gjithë së bashku, qeveria, shoqëria civile, të japim ndihmën tonë, duke i përkrahur, duke i mbështetur, duke i dëgjuar”,- tha zonja Topi. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë dhe përfaqësuesi i UNICEF-it në vendin tonë, i cili ka mbështetur mesazhin e zonjës Topi, duke thënë se linja e telefonit “Alo 116”, e cila ofrohet falas është pjesë e një sistemi të tërë për mbrojtjen e fëmijëve.
10 Mars 2010