I rrëmbyen varësen e floririt nga qafa, prangosen tre të rinj
KORÇË – Grabisin një person teksa hynte në një pub, vihen në pranga 3 të rinjtë. Policia e qytetit juglindor njofton se ka nisur hetimet për akuzat e “vjedhjes me dhunë në bashkëpunim” ndaj shtetasve me iniciale K. C, D. M. dhe N. S. Sipas policisë, tre personat në fjalë janë akuzuar nga shtetasi me iniciale A. D., 20 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Lagjen Nr. 17 në Korçë, se e kanë grabitur atë natën e kaluar në hyrje të një pub-i. “Në vendin e quajtur Lagja 3, Korçë, në hyrje të një pub-i, personat e ndaluar kanë ushtruar dhunë mbi të dëmtuarin dhe i kanë vjedhur në bashkëpunim me njëri-tjetrin një telefon ‘Nokia’ dhe një varëse floriri me medaljon”, - njoftoi Policia.
10 Mars 2010