Ministri Vasili: “Monitorime online për të evituar korrupsionin”
Eljona Lata
Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike reformat bazë që do të ndërmerren për këtë vit në shëndetësi. Këto reforma janë: dixhitalizimin e informatizim të gjithë sistemit si dhe hartimin e protokollit të mjekimeve dhe kostifikimin e shërbimeve shëndetësore. Ministri Shëndetësisë Petrit Vasili ka bërë publike gjatë një konference hapat e reja që do hidhen në shëndetësi duke rritur kështu cilësinë ndaj pacientëve. “Jam përpara jush për t’i komunikuar opinionit publik startimin e dy proceseve shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me reformën në shëndetësinë shqiptare. Sistemi i dixhitalizimit dhe informatizimit të gjithë sistemit në të gjitha nivelet e tij, që do të shoqërohet nga një informatizim intensiv, që nga qendrat universitare dhe deri tek spitalet më të largëta. Dhe së dyti procesin intensiv të hartimit të protokolleve të mjekimit dhe kostifikimit të shërbimit shëndetësor” tha Vasili.”
Reformat
Sipas ministrit Vasili, shërbimi shëndetësor do të ketë dy linja kryesore, do të jetë i informatizuar, pra mundësia e monitorimit dhe ndjekjes së tij online për të evituar çdo lloj keqkuptimi qoftë me shërbimin që ofrohet, furnizimin me barna, shërbimet mjekësore, kartelën klinike. Në fjalën e tij ministri tha se ky shërbim nuk do të jetë më empirik, por do të kostifikohet. Çdo gjë do të ketë një çmim dhe do të financohet pikërisht duke u bazuar mbi këto kritere. “Këto shënojnë dy elemente transformues rrënjësore të sistemit shëndetësor. Këto reforma ndërmerren me nismën profesionale dhe politike të Task Forcës ngritur pranë Këshillit të Ministrave nën drejtimin e kryeministrit, i cili ka përcaktuar si dy linja të reformës në shëndetësinë shqiptare” pohoi Vasili. Sipas këtij të fundit MSH-ja do të mundësojë që në muajt dhe në javët në vijim të informohet gradualisht mbi implementimin e këtyre reformave në të gjithë territorin e republikës mbi gjithë sistemin shëndetësor publik. “Përsa i takon sistemit farmaceutik dhe atë privat. Kemi dy transformime rrënjësore që do të ecin në ato drejtime të munguara të reformës në shëndetësi” përfundoi Vasili.
Reformat
Qendrën Universitare Spitalore “Nënë Tereza” e pret një reformim gjatë gjithë vitit 2010. Drejtuesit e kësaj qendre spitalore thanë se gjatë këtij viti pritet të bëhen shumë ndryshime si në shërbimet ndaj pacientit, ashtu edhe në kontrollet për abuzimin nga ana e mjekëve. Kështu, për të shmangur korrupsionin e mjekëve ndaj pacientëve, drejtuesit e QSUT-së kanë menduar që të bëhet regjistrimi kompjuterik i vizitave, duke u koordinuar me dokumentacionin, për të kontrolluar lëvizjet e të gjithë pacientëve. Në këtë mënyrë pritet të digjitalizohen për herë të parë, të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë jo vetëm me vizitat, por edhe me shërbimet e tjera që ofrohen në këtë qendër spitalore. Gjithashtu, aparaturat e ekzaminimit të sëmundjeve të ndryshme nuk do të kenë orar më të kufizuar, por do të qëndrojnë në dispozicion të qytetarëve 24 orë. Pritet që këtë vit të vihet në funksion edhe “Spitali i Ri”, në të cilin do jetë e përfshirë e gjithë Urgjenca, duke shmangur kështu mbipopullimin e saj gjatë muajve të fundit.
Regjistrimi
Prioritet madhor për 2010-ën dhe për reformën në QSUT, do të jetë regjistrimi kompjuterik i të dhënave. Veprimtaria e të gjitha shërbimeve, e çdo reparti, e çdo pacienti do të regjistrohet në kompjuter, duke bërë koordinimin e informacionit të dokumentuar dhe atij kompjuterik, në mënyrë që të mos u lihet hapësirë mjekëve dhe infermierëve që t’u marrin lekë nën dorë pacientëve. Por, sidomos konsulta do jetë e koordinuar me sistemin e kompjuterizuar dhe dokumentacion që kontrollon qartë lëvizjet e pacientëve, duke sjellë transparencë të plotë të punës në QSUT. Kështu, shërbimet e konsultës do të administratoren në mënyrë të ndarë në bazë të shtretërve. Ambientet do të jenë të përcaktuara, ndërsa ekzaminimet të lokalizuara qartë. Edhe personeli shëndetësor do jetë i përcaktuar qartë, duke mbajtur kështu përgjegjësin për punën. Ndërkaq, për çdo shërbim do të bëhet sistemimi dhe grumbullimi i të dhënave, gjithashtu dhe raportimi i tyre.
Raporti
Për personat me aftësi të kufizuara realizohen 23 % e masave
Detyrimet dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në vendin tonë, ende nuk kanë gjetur zbatimin e duhur nga strukturat përkatëse. Në një prezantim të raportit, të monitorimit për zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, thuhet se nga 95 masa, për t’u realizuar në afate të caktuara në këtë dokument, vetëm 11 janë realizuar mirë, ndërsa 23 për qind e tyre nuk kanë filluar të zbatohen ende. Raporti evidenton se ende ka probleme në shërbimet shëndetësore, arsimore dhe ato të punësimit, për personat me aftësi të kufizuara. Ministri i Punës, Spiro Ksera thotë se ka kaluar me një vit më parë fondi për këtë kategori është rritur. Ndërkohë që kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u shpreh se do të përmirësohen shërbimet që i ofrohen kësaj kategorie. “Me një shërbim shëndetësor pa performancën e duhur nuk mund t’i afrojë dhe kategorive të tjera me më pak kërkesa shëndetësore atë që duhet, dhe jo më një kategorie me kërkesa të shtuara, atë që ata presin. Së dyti, edhe kjo si një sfidë brenda sfidës, vetë sistemi shëndetësor dhe operatorët e tij duhet të njohin gjithnjë dhe më mirë specifikat e trajtimit të kësaj kategorie”,- deklaroi Petrit Vasili. Ndërsa kreu i Ministrisë së Punës ka folur për fondet e akorduara nga qeveria për këtë kategori në nevojë. “Për vitin 2010 është programuar një fond prej 11.441 miliardë lekë ose 24 për qind më shumë se në vitin 2009”,- tha Spiro Ksera. Në prezantimin e raportit për personat me aftësi të kufizuara ka marrë pjese dhe shefi delegacionit të KE-së në vendin tonë, Helumt Lohan, i cili u shpreh se strukturat përkatëse të qeverisë qendrore dhe vendore, duhet të punojnë më shumë në rrugët e Tiranës, por edhe të gjithë vendit, në fushën e sinjalistikës, pasi ky është vërtet një problem për personat me aftësi të kufizuar.
10 Mars 2010