Sa rrezikon të ndëshkohesh kur nuk kallëzon një krim
Laureta Rryçi
Qytetarët që nuk bashkëpunojnë me Drejtësinë, por preferojnë të heshtin para një krimi, rrezikojnë deri në tre vjet burg. Por, eksperienca ka treguar se jo në të gjitha rastet heshtja ka qenë e qëllimshme. Shumë prej qytetarëve duket se u mungon informacioni i nevojshëm për të kuptuar se deri kur të dhënat që ata disponojnë përbëjnë një vepër penale nëse nuk thuhen. Nga ana tjetër, statistikat e gjykatës tregojnë se kur kjo heshtje përballë Drejtësisë ka qenë e qëllimshme, ndëshkimi i tyre ka qenë jo i vogël. Duke treguar kështu se projekti i hershëm i policisë për policimin në komunitet jo gjithmonë jep rezultate. Për arsye të ndryshme, qytetarët ose tregohen indiferentë ndaj krimeve duke preferuar të mos përzihen në të tilla situata, pa marrë parasysh nëse emri i tyre do të përmendet më vonë në procesverbalet e policisë, apo oficerëve gjyqësore që përgatisin dosjen për gjykim. Statistikat e gjykatës tregojnë se raste të tilla kanë ardhur duke u rritur. Gjatë 2009-s, në Gjykatën e Tiranës u dhanë 21 vendime të tilla. Duket se viti që lamë pas kryesisht ka qenë i favorshëm për këta persona që pretendohet se kanë kryer një vepër penale të tillë. Për shkak të dënimeve alternative, shumë prej tyre janë ndëshkuar ose me gjobë, ose me punë në komunitet.
Vepra penale
Për moskallëzim krimi deri tani janë dënuar nga qytetarët e thjeshtë e deri punonjës të administratës. Ndërkaq, nuk kanë munguar dhe procese të bujshme, ku një prej personazheve ka pasur pikërisht një akuzë të tillë. Një proces i ngjashëm është edhe dosja për vrasjen e shoferit të ish-kryeprokurorit Theodhori Sallaku. Për moskallëzim krimi në këtë proces u dënua Imelda Tasho, e fejuara e të pandehurit kryesor për këtë vrasje, Altin Arapi. Për ndëshkimin e saj Prokuroria kishte informacionin se natën e vrasjes Tasho kishte shoqëruar të fejuarin e saj. Sipas juristëve, mund të quhet konsumim i kësaj vepre penale në kohën kur shoqëron një person që ka kryer një krim dhe ndërkohë ke dijeni për krimin e kryer. Ka dhe raste kur mund të jetë i rastësishëm, nuk njeh personin që po kryen krimin, por nëse hesht, kjo nuk të shpëton nga akuza.
Ndëshkimi
Pavarësish se neni për kryerjen e veprës penale parashikon ndëshkim deri në 3 vjet burg, gjykata është treguar më zemërgjerë për qytetarët që kanë konsumuar një vepër të tillë. Deri tani ka vendime që janë dhënë me disa muaj burg, por edhe me ndëshkime në punë në komunitet. Statistikat mbi vendimet tregojnë se pjesa më e madhe e këtyre vendimeve është dhënë me gjobë në shuma të ndryshme.
Moskallëzimi i krimit
Statistikat sipas viteve
2010, 5 dosje
2009, 21 dosje
2008, 13 dosje
2007, 19 dosje
2006, 23 dosje
Kreu: Vepra penale kundër Drejtësisë
Neni: 300
Titulli: Moskallëzimi i krimit
Përmbajtja: Moskallëzimi në organet e ndjekjes penale, në gjykatë, në organet e rendit publik, të pushtetit ose të administratës, i një krimi që është duke u kryer apo që është kryer, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Përjashtohen nga detyrimi për kallëzim të paralindurit dhe të pas lindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëshorti, adoptuesit dhe të adoptuarit, si edhe personat që janë të detyruar të ruajnë një sekret të njohur për shkak të detyrës apo profesionit.
10 Mars 2010