Hetimi penal nuk e zgjidh krizën politike
Ulsi Manja
Në i erdhi mirë maxhorancës që opozita hyri në Kuvend, apo jo, këtë e tregon më së miri shterimi i ideve që prezanton çdo ditë Kryeministri i vendit nëpër mbledhjet dhe stërdredhjet e tij të përditshme. Tani, së fundi, Kryeministri na zbulon si “sekret shtetëror “se i paska propozuar Ramës në tryezën e Presidentit hetimin e zgjedhjeve nga Prokuroria, ose ti drejtohet Komisionit të Venecias. Po ashtu, Berisha pa e kuptuar faktin se pse dhe si ka hyrë opozita në Kuvend merr përsipër të sqarojë edhe socialistët se nuk është faji i tij që opozita hyri në Kuvend pa marrëveshje, duke bërë diversion se vetë Rama nuk e dashka marrëveshjen.
Duke parë daljet e përditshme në media të eksponentëve të maxhorancës dhe të aksesorëve që tashmë e përbejnë atë, është e qartë se maxhoranca, me idetë që hedh për zgjidhjen e krizës, kërkon ta fusë opozitën në rrugë pa krye, duke e larguar atë gjithnjë e më shumë nga beteja për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Për të sqaruar se çfarë fshihet pas hetimit të zgjedhjeve nga Prokuroria, ose adresimit te Komisioni i Venecias që ofron maxhoranca, e shoh me vend të bëj një fotografim të asaj që është zhvilluar deri tani në lidhje me zgjedhjet parlamentare që lamë pas:
Të dyja palët e përfshira në këtë krizë politike e kanë të qartë se nuk ka asnjë mekanizëm ligjor që përmbys tabelën e mandateve të fituara nga ata më 28 qershor 2009, por, ndonëse opozita e ka bërë të qartë qëndrimin e saj se zgjedhjet janë një kapitull i mbyllur, por kërkojnë transparencën e plotë të të gjithë procesit zgjedhor, në funksion të përmirësimeve të ardhshme ligjore, me qëllim eleminimin e mekanizmave të deformimit të vullnetit të popullit, maxhoranca vazhdon në makthin e saj politik të marrjes së mandateve në tavolinë dhe të rrëzimit nga pushteti.
Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e pengojnë hapjen e kutive në funksion të transparencës dhe të interesit publik. Ndonëse opozita e ka bërë të qartë që nga ky hetim parlamentar nuk kërkon vetëm hapjen e kutive, por hetimin e procesit zgjedhor në tërësi, duke përfshirë edhe hapjen e kutive, në funksion të këtij hetimi, maxhoranca vazhdon të merret me hallkën e fundit të këtij hetimi që janë kutitë.
Për të zgjidhur krizën opozita ka treguar vullnet politik luajal; njohu zgjedhjet, hyri në parlament dhe, në funksion të transparencës, ka depozituar dy nisma ligjore në Kuvend. Po çfarë ka ofruar shumica për ta zgjidhur këtë krizë ? Sigurisht që nuk ka bërë dhe, as ka ndërmend të bëjë asnjë përpjekje serioze dhe të ndershme në këtë drejtim, sepse asaj i mungon tërësisht vullneti politik për zgjidhjen e krizës dhe tani pas hyrjes së opozitës në Kuvend për të përligjur këtë mungesë vullneti ka nxjerrë në tavolinë hetimin e zgjedhjeve nga prokuroria ose adresimin tek Komisioni i Venecias; a thua se kriza është krizë modalitetesh ligjore dhe jo krizë politike.
Berisha po tenton ta përdorë futjen e opozitës në Kuvend para faktorit ndërkombëtar si fundin e zgjidhjes së krizës politike dhe, nga ana tjetër, bën gjoja sikur po eksploron të gjitha mundësitë kushtetuese dhe ligjore për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Kjo lojë e Berishës dhe tezat e hedhura prej tij së fundmi janë pjesë e një skenari të parapërgatitur mirë dhe deri në detajet me të vogla që synon tërheqjen zvarrë të opozitës, përçarjen e saj, futjen e krizës së besimit mes elektoratit të majtë dhe lidershipit të vet me qëllim lënien e vendit pa një opozitë reale dhe të votuar, por të emëruar prej tij, me modelin e zgjedhjeve që bëri më 28 qershor 2009.
Dhënia e shumicës së komisonit hetimor opozitës, hetimi nga Prokuroria, adresimi tek Komisioni i Venecias dhe të tjera ide të çuditshme që do të hedhë Berisha në ditët që do vijnë, janë thjesht mjetet që ai ka zgjedhur për të lodhur opozitën dhe për të arritur qëllimet e tij, që nuk do ti shërbenin askujt dhe aq më pak interesave të vendit. Por, nëse Berisha do ta arrinte këtë qëllim, kjo do ti siguronte atij fitoren e zgjedhjeve lokale që do të vijnë dhe në këtë mënyrë do ta legjitimitonte përfundimisht pushtetin e vjedhur më 28 qershor 2009 në sytë e faktorit ndërkombëtar duke e varrosur njëherë e përgjithmonë kauzën e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme dhe duke e kthyer përfundimisht Shqipërinë në një demokraci tipike ruse në zemër të Evropës.
Kreu i maxhorancës e di mjaft mirë që nga pikëpamja ligjore prokuroria nuk mund të hetojë problematikën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, pasi kjo bie ndesh me funksionet kushtetuese dhe ligjore të saj. Sipas nenit 148 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; “Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq, në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj. Në ushtrimin e kompetencave të tyre, prokurorët u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve”. Për të realizuar këto funksione Kushtetuese, prokuroria është e detyruar të zbatojë rregullat e përcaktuara në ligjin procedural penal (Kodin e Procedurës Penale) i cili, në nenin 280 të tij shprehet se; “Prokurori dhe Policia Gjyqësore marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët”.
Nga ky definim kushtetues dhe ligjor funksioni bazë i Prokurorisë është hetimi i veprave penale dhe procedurave penale dhe thotë qartë: “me kallëzim nga të tjerët ose kryesisht”, pra, me hetimin penal synohet nxjerrja e përgjegjësisë penale dhe kjo përgjegjësi është individuale dhe jo kolektive. Askush nuk mund të bëjë kallëzim në Prokurori pa pasur fakte dhe provat e duhura për ekzistencën e një ngjarje: Prokurorisë nuk mund t’i kërkohet të hetojë në tymnajë sesi është zbatuar ligji zgjedhor në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, pasi asaj, me miratimin e Kodit të ri të Procedurës Penale në vitin 1995, i është hequr funksioni monist i kontrollit të ligjshmërisë nga institucionet ligj-zbatuese.
Opozita nuk ka pse e çon çështjen në Prokurori pasi ajo kërkon hetim administrativ të procesit zgjedhor dhe jo hetim penal, opozita kërkon të dijë sesi është zbatuar ligji zgjedhor nga organet e ngarkuara nga ky ligj për mirë administrimin e zgjedhjeve dhe këtë detyrë Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit ia ka ngarkuar komisioneve hetimore te veçanta që ngre Kuvendi; pra, opozita kërkon transparencën e procesit elektoral të 28 qershorit 2009, në kompleksitetin e vet si një e tërë dhe jo vetëm hapjen e kutive .
Nga ana tjetër, Prokuroria nuk mund të investigohet kryesisht për hetimin e zgjedhjeve parlamentare, pasi procesi zgjedhor është mbyllur politikisht dhe juridikisht, ka prodhuar një parlament të pranuar si legjitim dhe nuk ka shkaqe ligjore që përligjin nisjen e hetimeve me iniciativën e saj.
Në rastin e Ruzhdies, ka pasur kallëzim dhe prokuroria nuk ka bërë asgjë të veçantë, por ka bërë detyrën e saj kushtetuese dhe ligjore, ka mbledhur provat dhe ka krijuar bazën e nevojshme për përgjegjësi penale.
Nga këndvështrimi ligjor, ajo që i ofrohet opozitës, për t’iu drejtuar Prokurorisë në mënyrë direkte përkthehet: “opozitë e nderuar, detyrojeni Prokurorinë të shkelë Kushtetutën dhe ligjin”, gjë që opozita nuk mund ta bëjë, aq më tepër që personi që e hedh këtë ide (Kryeministri i vendit ) përbetohet përditë për respektimin e Kushtetutës dhe ligjit.
Kryeministri e di mirë, që po pranoi opozita të hyjë në lojën e hetimit të zgjedhjeve nga Prokuroria, ai e fiton “davanë e zgjedhjeve” parlamentare që lamë pas dhe të atyre lokale që pritet të vijnë, pasi hetimi penal mund të zgjasë në kohë, po të kemi parasysh natyrën dhe problematikën e hetimit të kësaj çështje penale.
Sa për Komisionin e Venecias, situata është krejt e thjeshtë: Komisioni hetimor parlamentar sipas Kushtetutës, rregullores së Kuvendit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ngrihet në mënyrë të detyruar kur e kërkon ¼ e deputetëve të pakicës dhe kjo e drejtë e saj nuk mund të vihet në diskutim nga shumica. Ndërsa lidhur me objektin e hetimit, kur nuk ka marrëveshje, pala që pretendon antikushtetutshmërinë e objektit të hetimit i drejtohet, qoftë Gjykatës Kushtetuese apo Komisionit të Venecias. Rregullat e së drejtës na mësojnë që pala që nuk është dakord me diçka “ankohet ose e kërkon “ të drejtën e saj në rrugë ligjore. Nga ky këndvështrim, opozita ka ekskluzivisht të drejtën e saj kushtetuese për ta kërkuar këtë hetim siç edhe e ka kërkuar, ndërsa pala tjetër që e kundërshton objektin e këtij hetimi, ka të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese apo Komisionit të Venecias. Nga ana tjetër, kërkesa për tek Gjykata Kushtetuese apo në Komisionin e Venecias nuk e pengon ngritjen e komisionit hetimor parlamentar sipas objektit të kërkuar.
Nëse opozita nuk ka pranuar asnjë nga propozimet e mësipërme që ka ofruar Kryeministri në tryezën e Presidentit për zgjidhjen e krizës, ka bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme, pasi këto propozime kanë pasur dhe kanë në thelb mos-hetimin e zgjedhjeve parlamentare dhe fitimin e kohës nga ana e maxhorancës përballë faktorit ndërkombëtar, për të realizuar në mënyrë tinzare planin e saj për përçarjen e opozitës dhe instalimin në vend të proceseve zgjedhore të manipuluara, por me koperturë demokratike.
Fakti që opozita nuk i ka pranuar këto propozime dhe është e vendosur në betejën e saj për votën e lirë, pasi nuk ka rrugë tjetër, na bëjnë të besojmë se devizës 20-vjeçare shqiptare: “S’ka rëndësi sesi voton e kush voton, por se kush numëron e si numërohen” po i vjen fundi, ndaj kërkesat e opozitës duhen marrë seriozisht në konsideratë, ndryshe vendi do të bëjë regres akoma më të madh në proceset demokratike dhe integruese.
Maxhoranca duhet të kthjellohet sepse e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës politike në vend është kurimi i saj me zgjedhjen e duhur politike. Maxhoranca duhet të ndërgjegjësohet se Brukseli është destinacion i vetëm i gjithë shqiptarëve dhe se Shqipëria do të duhet të shkojë atje me kontributin e gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm të njërës palë, pasi kjo gjë është e pamundur, Shqipëria duhet të shkojë në Bruksel me ”dinjitet” dhe jo si pjesë e pazareve evopiane apo e mëshirës së tyre.
Për ta arritur atje na duhet na duhen institucione të forta që zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit; na duhet ekonomi tregu e lirë; na duhet gjyqësor i pavarur, por, në themel të të gjithave, janë zgjedhjet e lira e të ndershme si premisë kryesore e legjitimitetit politik dhe moral për një qeverisje të mirë dhe për një demokraci të fortë e funksionale.
Duke e parë opozitën e sotme si maxhorancën qeverisëse të së nesërmes për shqiptarët, pranimi i kërkesës së saj për hetimin e plotë të procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009, duke përfshirë edhe hapjen e kutive do ta shkurtonte rrugën për në Bruksel. Nga ky proces transparence, partitë, ndoshta mund të humbasin interesa të momentit, por mbi të gjitha do fitojë Shqipëria dhe, më së fundi shqiptarët, si një komb i vuajtur, do gjejnë pak qetësi në familjen e madhe evropiane.
Ndaj zoti Kryeministër; - thelbi i kërkesës së opozitës për hetimin parlamentar të zgjedhjeve duhet lexuar me qetësi dhe pa paragjykime e teori konspirative të tipit të analistit Artan Hoxha: Duhen lënë për një çast të vetëm në punën e tyre prokuroria dhe gjykatat; - bëj transparencën e zgjedhjeve e jepi zgjidhje kësaj pune se kjo punë do vullnet politik dhe jo gjë tjetër. Ora e Shqipërisë për në Bruksel ka nisur tik-taket e saj dhe kërkesat e opozitës për votën e lirë nuk e dëmtojnë kauzën evropiane të Shqipërisë por i vënë kurorën e dinjitetit asaj, pasi Evropa këtë kauzë e ka gur themeli dhe 18 marsi 2010 është një shans i madh për ta bërë këtë. Ndryshe druaj se rruga jonë për atje do të jetë shumë më e gjatë nga sa duket. Kështu zgjidhet kriza dhe s’ka rrugë tjetër.
10 Mars 2010