E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jepet pretenca për bandën e Mirditës



Dy burgime të përjetshme dhe tre burgime me nga 20 vite burg kërkoi dje akuza për pesë anëtarët e bandës së Mirditës. Ishte kthyer tmerri i kësaj zone për vitet 1996-2002. Për vite me radhë ata kanë kryer grabitje të shumta, madje nuk kanë ngurruar të shkrepin armën edhe kundër punonjësve të policisë. Vëllezërit Dritan dhe Nikoll Syziu, me burgim të përjetshëm, Bardhok Syziu me 20 vjet, Tonin Gjoka me 20 vjet dhe Arjan Reçi me 20 vjet. Kjo ishte pretenca nga Prokuroria për Krime të Rënda për ata që kanë grabitur qytetarë në rrugë, kanë vjedhur aksesorë makinash dhe kanë ekzekutuar një efektiv policie teksa ky i fundit mbërriti me grupin e gatshëm për t’i prangosur. Veprimtaria kriminale e kësaj bande shtrihet prej fundit të vitit 1996 deri në 2002-shin. Në bashkëpunim gjatë një grabitjeje ata akuzohen se vranë punonjësin e policisë Gjon Paçuku dhe plagosën rëndë tre kolegë të tij, Nikoll Marku, Bardhosh Jaku dhe Ndue Çupi, të gjithë efektivë të Komisariatit të Mirditës. Ata akuzohen për veprat penale, “vrasje për shkak të cilësive të veçanta”, “vjedhje me armë në bashkëpunim”, “vrasje për shkak të cilësive të veçanta, e mbetur në tentativë”, ndërsa krimet janë konsumuar gjatë viteve 1996-1998 në Mirditë, Lurë, Reps dhe në aksin rrugor Burrel-Mirditë, e pikërisht në vendin e quajtur Tuneli i Shkopetit.

Pretenca për shtetasit e huaj

Trafikuan drogë, kërkohet dënimi i gjermanëve

TIRANË – Tre shtetas gjermanë, mes tyre edhe një grua, u deklaruan dje fajtorë nga Akuza për veprën penale të trafikut të drogës në bashkëpunim. Daniel Englet duhet të dënohet me 14 vjet burg, Franz Kiacesk dhe bashkëshortja e tij, Regina Kiacesk, me nga 12 vjet burg dhe shtetasi shqiptar Albert Pëllumbaj, me 13 vjet burg. Kjo është kërkesa e bërë në seancën e djeshme nga Prokuroria para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Të pandehurit pranuan gjykimin e shkurtuar duke përfituar në këtë mënyrë edhe uljen e dënimit me 1/3. Ndërsa Zaim Tafa, personi që njihet si pronari i lokalit luksoz “Kështjella”, nuk i pranoi akuzat duke u veçuar në një tjetër dosje. Tre shtetasit gjermanë akuzohen se në bashkëpunim me dy shqiptarët kanë tentuar të trafikojnë në Gjermani 40 kg heroinë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se i pandehuri Daniel Englert është marrë me organizimin e trafikimit të kësaj sasie lënde narkotike. Ky i pandehur, pasi ka kontaktuar më parë në Gjermani me Franz dhe Regina Kiacsek, kanë rënë dakord mes tyre që të takoheshin në Shqipëri. Daniel Englert ka arritur në Shqipëri me avion, nëpërmjet Aeroportit të Rinasit.

10 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›