E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncimi tronditës: Im shoq dhunoi seksualisht djalin 5-vjeçar

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 26-05-2011 12:10

Tiranë Një denoncim tronditës ka alarmuar policinë e Tiranës, në kohën që një grua e re ka akuzuar të shoqin për dhunë seksuale ndaj të birit 5-vjeçar. Fill pas marrjes së denoncimit, Policia e Tiranës ka nisur punën për gjetjen e të akuzuarit, ndërsa gjatë ditës së djeshme është bërë i mundur arrestimi i tij. 36-vjeçari Jorgo L. nga Gjirokastra, është arrestuar dje në kryeqytet, ku edhe banonte prej pak kohësh me familjen e tij. Policia e Tiranës bëri të ditur me anën e një njoftimi për shtyp se ky person ishe shpallur në kërkim që në datën 18 maj. “Nga komisariati i policisë nr.4 Tiranë u bë e mundur kapja e shtetasit në kërkim Jorgo L., 36 vjeç, banues në Gjirokastër. Ky person ishte i shpallur në kërkim më datë 18.05.2011, i dyshuar për veprën penale të “veprimeve të turpshme me të mitur” – thuhet në këtë njoftim. Burime të policisë i thanë MAPO-s se ka qenë bashkëshortja e tij, 31-vjeçarja me inicialet A.L., e cila ka denoncuar në polici të shoqin. Sipas denoncimit, mësohet se i ndaluari dyshohet të ketë kryer veprime të turpshme me të birin dhe, sipas saj, këto vërtetohen nga shenjat që djali 5- vjeçar kishte në trup. Pas këtij denoncimi, Policia e Tiranës nisi menjëherë punën për të verifikuar këto deklarime. Gjatë ditës së djeshme u bë i mundur ndalimi i 36-vjeçarit dhe shoqërimi i tij në ambientet e policisë, ku është duke u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen në fjalë dhe akuzat e ngritura nga ana e bashkëshortes së tij. Gjatë seancës së pyetjeve në polici, ai ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e ngritura nga e shoqja, duke i cilësuar ato si shpifje. Por dëshmia e tij nuk e ka shmangur nga hetimi i mëtejshëm për akuzën e rëndë. Burime të policisë pohojnë se djali 5- vjeçar është duke u marrë në pyetje, në prani të një psikologu, si dhe pritet që t’i nënshtrohet verifikimeve mjekësore për të vërtetuar nëse akuzat e ngritura nga ana e nënës së tij janë të vërteta ose jo. Por deri në daljen e raporteve përfundimtare, në lidhje me abuzimin ose jo të djalit 5 vjeçar, Jorgo L. do të qëndrojë në qeli. Në rast se akuzat e ngritura nga bashkëshortja e tij do të vërtetohen, ai do të përballet me togat e zeza të Gjykatës së Tiranës për akuzën e “veprimeve të turpshme me të mitur”. Hetuesit e ngjarjes pohojnë se do të jetë raporti mjeko-ligjor mbi fëmijën ai që do të përcaktojë fatin e mëtejshëm të kësaj çështjeje, por edhe dëshmia e tij, në prani të psikologes. Ngjarje të tilla të rënda janë regjistruar kohët e fundit, por ky është rasti i parë kur babai akuzohet se ka abuzuar me djalin e tij, pasi në të gjitha ngjarjet e mëparshme, babai është akuzuar se ka dhunuar seksualisht vajzën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›