Hashash në valixhe me kode sigurie, dy shqiptarë në pranga
Mbrëmjen e së martës, në një operacion të kryer nga skuadra speciale e Peskarës dhe asaj të Merkatës në Itali është bërë i mundur arrestimi i tre shtetasve, dy shqiptarëve dhe një italiani. Policia ka bërë të mundur kapjen në flagrancë të një valixheje të mbyllur me kod sigurie, në të cilën ndodheshin të ndara në pako rreth 17 kilogramë hashash. Në pranga kanë rënë Fatjon Dule, Masimo Taibi dhe Avenir Bërdica, që të tre rezidentë në kryeqytetin italian Romë. Hetimet për zbulimin e këtij grupi të tregtimit të hashashit kanë lindur fare rastësisht, pas një sinjalizimi mbi një të ri shqiptar që shpërndante hashash në disa zona, ndërsa gjurmimi i këtij të riu çoi dhe te furnizuesit e tij, tre të arrestuarit në fjalë. Skuadra speciale e antidrogës ka survejuar lëvizjet dhe të gjitha bisedat telefonike të tre të rinjve, ndërsa ka mundur t’i kapë ata në flagrancë me valixhen me 17 kilogramë hashash, që kapin një vlerë tregu prej të paktën 50 mijë euro. Hetuesit italianë janë shprehur se edhe pse kanë survejuar tre të rinjtë për më shumë se katër muaj, nuk kanë mundur të identifikojë “grosistin” shqiptar që i furnizonte tre të arrestuarit, ndërsa dyshimet janë për një grup të fuqishëm, i cili drejtohet nga Shqipëria dhe që mundëson furnizimin me sasi hashashi çdo muaj nga Shqipëria drejt Italisë fqinje.