E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncon burrin, e keqtrajton me thikën e bukës

05/03/2005  Dhunën në familje i pandehuri dyshohet se e ushtronte nga xhelozia

Një thikë, e cila nuk i plotëson kushtet teknike për të qenë armë e ftohtë, është sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Por, ndërsa nuk i plotëson kushtet për të ndërtuar një akuzë, ajo ka arritur të bëjë plagë të rënda në trupin e Behije Braçes. Është përdorur nga bashkëshorti i saj, Mezin Braçe. Gjendet në dosjen e ardhur në Shkallën e Parë për gjykim. Ndërkohë si provë kryesore në dosje figuron kallëzimi penal i gruas së sakatuar me thikë. Nuk ka patur aspak mëshirë, kur me ndihmën e djalit të saj, ka shkuar në polici dhe ka treguar të gjithë skemën tronditëse që i ndodhi me bashkëshortin.

Dhuna

Dhuna në familje është bërë një nga faktet më problematike. Shumë kallëzime penale janë bërë në polici për bashkëshortët keqtrajtues dhe e kundërta. Këtë radhë, në gjykatë ka ardhur për gjykim shtetasi Mezin Braçe. Është akuzuar nga bashkëshortja e tij, Behije Braçe, për vrasje të mbetur në tentativë. Procesi ende nuk ka filluar. Behija ka shpëtuar paq nga vrasja. Nuk e ka pritur agresionin nga ana e burrit. Gjithçka ka qenë e papritur për të, ndonëse bashkëshorti Mezini e kishte planifikuar skemën. Për të krijuar konflikt me gruan, ai ka djegur tiganin. Në orën 16.00 të datës 17 nëntor 2004, Behije Braçe kthehet nga puna. Ajo futet në shtëpi dhe, pasi përshëndet bashkëshortin shkon në aneksin e kuzhinës për të bërë kafen. Sheh që tigani sipër sobës ishte i djegur plotësisht. Në këtë moment, Behija i ka kërkuar sqarime burrit, duke e pyetur se kush mund ta kishte bërë këtë gjë. Pa thënë asnjë fjalë, Mezini ngrihet nga vendi dhe shkon në dhomën tjetër. Merr një thikë buke dhe kthehet përsëri në kuzhinë. "Tani jeta jote do të marrë fund". Me këto fjalë i është drejtuar Mezin Braçe bashkëshortes së tij. Më pas, ai ka filluar ta godasë në të gjithë pjesët e trupit me thikë. Ka rritur ta akuzojë për tradhti bashkëshortore. Ndërkohë në kuzhinë arrin të futet djali i tyre. Me ndërhyrjen e djalit, Behija, edhe pse kishte marrë plagë të rënda, arrin t'i shpëtojë duarve dhe goditjeve të forta të burrit. Ajo del nëpër shkallë, duke i kërkuar ndihmë komshinjve. Me trupin e larë nga gjaku, ajo është dërguar në Spitalin Ushtarak. Më pas, policia i ka vënë prangat bashkëshortit vrasës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›