E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga vrasësve të biznesmenit Arizaj

05/03/2005  Autorët Nik Dedndreaj dhe Artur Guxhaj i kishin borxh 3 milionë lekë viktimës

Arrestohen dy vrasësit e biznesmenit 53-vjeçar Vladimir Arizaj, pronarit të firmës “Gipsal Konstruksion” në Tiranë. Afro 24 orë pas plagosjes me pasojë vdekje të biznesmenit Arizaj, policia kryeqytetase ka prangosur dy ekzekutorët e dyshuar, Nik Dedndreaj, 27 vjeç dhe Artur Guxhaj, 35 vjeç, që të dy banues në Tiranë. Nga hetimet paraprake rezulton se, dy të arrestuarit i kanë pasur një borxh viktimës së tyre. Ndërsa pas një debati për kthimin e borxhit, ata e kanë qëlluar Arizajn katër herë me thikë në bark, duke e lënë pa ndjenja në mjetin e tij, të cilin e kishin përplasur disa herë me mjete të tjera gjatë rrugës së masakrës. Ka qenë thirrja e fundit e telefonit celular që ka kryer viktima, që ka çuar në identifikimin e dy të dyshuarve si bashkëpunëtorë të vrasjes së tij.

Hetimi

Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Albert Dervishi, tha dje gjatë një konference për shtyp, të zhvilluar në mjediset e Komisariatit nr.3, se dy të dyshuarit si ekzekutorë të Arizajt, kishin lënë gjurmë të shmuta në mjetin e viktimës. Kështu mësohet që aty të jenë gjetur fije floku, gjurmë gishtërinjsh dhe tesha të dy të rinjve të arrestuar, të cilat ishin lyer me gjakun e Arizajt. Por nga krahasimi i gjurmëve të gjetura në vendngjarje me ato të të skeduarve nga policia, nuk është arritur që të identifikohet ndonjë prej të dyshuarve. Kjo për shkak se dy të dyshuarit për vrasjen e Arizajt, nuk kishin qenë më parë të dënuar, theksoi Dervishi. Ky fakt e ka vështirësuar disi hetimin, por në bazë të deklarimeve të marra nga dëshmitarët okularë, të cilët kanë parë dy të rinjtë të largohen dhe informacioneve të marra në rrugë operative, është bërë i mundur identifikimi i dy të dyshuarve. Ndërkaq, nga burime pranë grupit të hetimit, mësohet se menjëherë pas ngjarjes është bërë verifikimi i thirrjes së fundit telefonike që kishte kryer Arizaj me celularin e tij. Mësohet se thirrja e fundit që ai kishte kryer ishte me numrin e telefonit celular që i përkiste të riut me origjinë nga Bajram Curri i Tropojës, Nik Dedndreajt. Nga deklarimet e marra të të afërmve të tij, policia ka konkluduar se personi i dyshuar mendohet t’i ketë pasur viktimës një shumë prej 300 mijë lekësh të reja borxh, të cilat nuk i kishin paguar për një punë që kishte kryer Arizaj. Nga hetimi rezulton se Arizaj kishte telefonuar Dedndreajn dhe kishte biseduar për kthimin e borxhit që kishte kohë pa u paguar. Gjithashtu kishin lënë edhe vendin e takimit në Kinostudio. Aty dyshohet se Dedndreaj dhe Guxhaj, kanë hipur në mjetin tip “KIA” me targa TR 2680 K, pronë e Arizajt. Burimet thonë se dyshohet, pasi Arizaj ka kërkuar paratë që i kishin borxh, dy të rinjtë janë nxehur dhe ka filluar një debat mes tyre. Ata akuzohen se, fillimisht e kanë dhunuar fizikisht Arizajn dhe më pas kanë marrë kontrollin e makinës. Ndërkaq e kanë qëlluar rreth katër herë me thikë në bark.

Arrestimi

Forcat e policisë kriminale pranë Komisariatit nr.3 në Tiranë, pasi kanë marrë informacione dhe prova të bollshme kundër të dyshuarve, kanë filluar menjëherë të lokalizojnë vendndodhjet e tyre. Nga burime policore mësohet se një prej të dyshuarve është kapur në banesën e tij pranë shkollës “Bajram Curri” në Tiranë, ndërsa tjetri në një lokal pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”. Burimet pohojnë se, fillimisht ata janë shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, ku janë marrë në pyetje. Gjithashtu mësohet që të jenë kryer krahasimet e gjurmëve të gishtërinjve të tyre me ato të gjetura në vendngjarje, që, sipas policisë, rezultojnë të jenë të njëjta. Dervishi tha dje gjatë konferencës për shtyp se në cilësinë e provave materiale janë bllokuar; automjeti i Vladimir Arizajt. Ai theksoi se aty janë evidentuar gjurmë e prova të shumta si dhe veshje të autorëve me gjakun e viktimës.

Thirrja e fundit që kishte kryer Arizaj, zbuloi ekzekutorët

Ka qenë verifikimi i thirrjes së fundit telefonike që, biznesmeni Vladimir Arizaj ka kryer me celularin e tij, që ka bërë të mundur identifikimin e gjeneraliteteve të një prej të dyshuarve si ekzekutorë të tij. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë grupit hetimor, të cilat thanë se menjëherë pas mbërritjes së policisë në vendngjarje, ka filluar mbledhja e provave dhe pyetja e dëshmitarëve okularë. Mësohet se nga dëshmitarët okularë është marrë thjesht një përshkrim i autorëve të dyshuar, por asnjë prej tyre nuk ka arritur t’i identifikojë. Burimet thonë se edhe gjurmët e shumta të gjetura në vendngjarje, fillimisht nuk kanë arritur të zbulojnë asgjë rreth identitetit të vrasësve, pasi nuk kishin qenë të skeduar më parë nga policia. Por pas kërkesës që i është bërë kompanisë celulare që i përkiste numri i Arizajt, është bërë e munur të gjendet thirrja e fundit që ai kishte kryer. Burimet policore sqarojnë se thirrjen e fundit telefonike viktima e kishte kryer me 27-vjeçarin Nik Dedndreajn, kur dyshohet që edhe të kenë biseduar për një takim për marrjen e borxhit, që solli tragjedinë e familjes Arizaj.

Policia: “Dedndreaj dhe Guxhaj pranojnë akuzën e vrasjes”

Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, thanë dje për gazetën “Metropol” se, dy të arrestuarit, Dedndreaj dhe Guxhaj, e kanë pranuar akuzën e ngritur ndaj tyre për vrasjen me dashje të biznesmenit të gipsit, Vladimir Arizaj. Ky fakt u konfirmua dje gjatë konferencës për shtyp edhe nga drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi. Nga burimet mësohet se dy të ndaluarit, fillimisht janë marrë në pyetje mbi vendndodhjen e tyre gjatë kohës që u ekzekutua Arizaj. Ndërsa më pas, oficerët e krimeve u kanë komunikuar atyre të gjitha provat materiale që kishin siguruar. Gjithashtu është bërë edhe krahasimi i gjurmëve të tyre me ato të gjetura në vendngjarje, që kanë rezultuar të jenë të njëjta, thonë burimet e policisë. Ato shtojnë se dy të arrestuarit, të ndodhur para provave të shumta materiale, kanë pranuar akuzën e ngritur ndaj tyre, për vrasjen me dashje të Arizajt, duke pohuar se gjithçka kishte ndodhur në gjaknxehtësi e sipër, pas një sherri që kishte ndodhur për shkak të parave që i kishin borxh.

Tregtari u qëllua me thikë në bark, tentoi të hidhej nga makina

Dy autorët e kësaj ngjarje, nga hetimet rezulton që të kenë hipur në makinën e Arizajt në Kinostudio, ku ky i fundit ka shkuar për t’i takuar, pasi kanë biseduar në telefon për kthimin e borxhit. Sipas policisë, rreth orës 14.40 të pasdites të së enjtes, ata janë takuar në Kinostudio, pasi Arizaj vinte me makinë që nga dyqani i tij, që ndodhet në rrugën “Sitki Çiço”. Pasi ata kanë udhëtuar së bashku, afër Medresesë, medohet se ka lindur edhe konflikti i parë mes tyre pas debatit, ku Arizaj ka kërkuar t’i kthenin borxhin. Sipas policisë, të arrestuarit dyshohen se i kanë marrë drejtimin e mjetit Arizajt dhe janë përplasur në afërsi të Medresesë, ku mendohet se Arizaj ka tentuar të hidhet nga makina. Ky ka qenë momenti që, sipas policisë, Arizaj është qëlluar me thikë në bark nga agresorët. Pas incidentit te Medreseja, makina është përplasur edhe disa herë të tjera gjatë rrugës. Për t’i shpëtuar policisë rrugore, dy vrasësit e dyshuar të biznesmenit kanë dalë nga rruga automobilistike dhe janë drejtuar përmes pallateve në rrugën “Jordan Misja”, ku janë përplasur edhe me mjete të tjera. Automjeti tip “KIA” së fundmi është përplasur me një ndërtesë dhe autorët e krimit janë larguar duke e lënë tregtarin të plagosur për vdekje. Dy të rinjtë më pas janë larguar në një rrugicë të ngushtë në fund të pallatit nr.57, duke humbur çdo gjurmë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›