Shqipëria ka shënuar progres të madh, mbështesim integrimin në BE

Sekretari i Jashtëm Britanik, Hague mesazh homologut Meta
Britania e Madhe mbështet çdo hap të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Mesazhi vjen nga Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuan, William Hague, gjatë një komunikimi me ministrin e Jashtëm shqiptar Ilir Meta. Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Hague i ka dërguar një letër falënderimi nr 2 të Qeverisë dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Meta, në përgjigje të mesazhit të urimit me rastin e marrjes së detyrës së re. Hague shprehet se Britania e Madhe njeh dhe vlerëson dimensionin e ri të reformave në Shqipëri dhe aspiratat e saj të integrimit të plotë në BE. “Sikurse diskutuam në Sarajevë, Mbretëria e Bashkuar i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Shqipërinë, dhe mbetet tërësisht e përkushtuar për anëtarësimin e saj në BE. Tashmë, është realizuar progres shumë i madh, dhe shpresoj që të vazhdohet me reformat e nevojshme, me të njëjtën energji dhe angazhim. Siç jeni në dijeni, është e rëndësishme që të gjithë palët e debatit politik në Shqipëri të tregojnë aftësitë e tyre për të punuar së bashku, me qëllim ndërtimin e një vendi evropian modern, të qëndrueshëm dhe të suksesshëm”- deklaron Sekretari i Jashtëm Britanik, Hague në mesazhin drejtuar homologut Meta. Zv-kryeministri Meta: Statusi i Kosovës dhe kufijtë e saj janë çështje e pakthyeshme/Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta ka shuar dje çdo hije dyshimi lidhur me idenë e ndarjes së Kosovës apo shkëmbim territoresh me Serbinë. Sipas kryediplomatit shqiptar, Shqipëria mbështet fuqishëm shtetin e pavarur të Kosovës dhe mbrojtjen e integritetit të tij territorial. “Dua të rikonfirmoj se Shqipëria mbështet fuqishëm shtetin e pavarur e sovran të Kosovës dhe integritetin e tij territorial. Statusi i Kosovës dhe kufijtë e saj janë çështje të mbyllura përfundimisht dhe të pakthyeshme. Idetë për ndarje të Kosovës apo shkëmbim territoresh përbëjnë një rrezik serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin tonë e më gjerë. Shpreh bindjen se rruga për realizimin e aspiratës sonë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike kalon vetëm përmes respektimit të plotë të kufijve ekzistues, tërësisë territoriale të njëri-tjetrit, si dhe përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal”- u shpreh zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
...