Denoncon oficerin e policisë: Më keqtrajtoi
TEPELENE – Dhunohet nga komandanti i rendit në policinë e Tepelenës 49-vjeçari. Bexhet Serjani, banor i Gjirokastrës, denoncon publikisht dhe në Drejtorinë e Policisë, dhunën deri në torturë të Argjir Çelës, funksionar në komisariatin e Tepelenës. Sipas dëshmisë së dhënë nga vetë Serjani, një konflikt i nisur pak muaj më parë, pasi iu bllokua makina pa të drejtë në komisariat e më pas lirimi i saj, ishte dhe shkaku i “hakmarrjes” së Çelës. Dy ditë më parë, Serjani dhe punonjësi i rendit janë hasur sërish në Tepelenë. “Më kërkoi t’i jepja dorën, por unë e kundërshtova, pasi ai më kishte thyer xhamin e makinës qëllimisht, para se ta hiqnin nga bllokimi. Atëherë, i nervozuar, Argjir Çela ka thirrur dy policë që ishin në makinën e policisë dhe me forcë më shoqëruan në komisariat. Aty ka nisur dhuna me shkopin e gomës, me tub hekuri si dhe me një këmbë karrigeje”. Bexhet Serjani rrëfen se është keqtrajtuar në ambientet e izolimit nga Çela dhe nga pesë vëllezërit e tij civilë. “Dhuna ka qenë aq e madhe, saqë mua më ra të fikët dhe e gjeta veten të përmendur në spitalin e Tepelenës”, shprehet Serjani. Në momentin e dhunës Serjani pohon se i kishte kërkuar ndihmë shefit të Komisariatit të Policisë së Tepelenës, Enver Meçes, por ky nuk ka reaguar. Vetëm dy policë të tjerë prezent kanë kërkuar ndalimin e dhunës. “Pasi jam përmendur në spitalin e Tepelenës, mjekët thoshin se duhet të shkoja në spitalin e Gjirokastrës për ndihmë më të specializuar. Në momentin që do të më transportonin me autoambulancë, Argjir Çela dhe vëllezërit e tij erdhën aty dhe më gjuajtën sërish, në sy të infermierëve dhe mjekëve. Autoambulanca është kthyer edhe një herë në Komisariatin e Policisë së Tepelenës me urdhër të oficerit të policisë, Argjir Çela dhe sërish duke ushtruar dhunë ekstreme. Pra jam rrahur në mënyrë shtazarake me tre seanca”, tregon Serjani. Vetë ai ka qenë efektiv policie deri në 2005-ën. p.n