I mbijetuari i tragjedisë: Si na u shemb tavani mbi kokë
Tre të mbijetuarit e tragjedisë së Ersekës po marrin ndihmën mjekësore në spitalin e Korçës. Ata ankohen për dhimbje në kokë dhe trup, teksa me zë të mekur rrëfejnë ngjarjen që mori jetën e dy kushërinjve të tyre. Altin Shkoza ishte më i madhi prej të pestëve që tentuan të marrin skrap në një ish-magazinë në dalje të Ersekës. Një vit më i vogël ishte kushëriri i tij, Fatjon Shkoza, i cili nuk mundi t’i mbijetojë shembjes masive të tavanit. Nga kjo ngjarje gjeti vdekjen edhe 12-vjeçari, Sh.Shkoza. Tre të mbijetuarit lëngojnë në shtrat, por ende nuk e dinë se të afërmit e tyre kanë ndërruar jetë. Më e vogla është K,Shkoza, 7 vjeçe, gjendja e së cilës sipas mjekëve është më e rënduar. Për shkak të bllokimit në beton, vogëlushja merr frymë me vështirësi, ndërsa është e traumatizuar. Në gjendje disi më të mirë janë 12-vjeçari Elisi si dhe Altini 23-vjeçar. “Pasdite ne vendosëm që të shkonim e të gërmonim për të nxjerrë hekur te magazina e grumbullimit të misrit. Kishim kohë që kishim diskutuar për të thyer tarracën prej betoni. Copëtuam shtylla prej tullash dhe betoni për të nxjerrë një shufër hekuri. Kur po e tërhiqnim shufrën na ra mbi kokë tarraca”, tha 23-vjeçari. Përpjekjet për të siguruar mbijetesën duke shitur hekurishte i çoi pesë kushërinjtë Shkoza drejt rrezikut. Ata kanë punuar për disa orë për të nxjerrë shufrat e hekurit. Në ndihmë të tyre janë vënë madje edhe fëmijët, të cilët mësohet se i kishin ndjekur nga mbrapa dy më të rriturit. Por asnjëri prej tyre nuk e kishte menduar se ata po dëmtonin edhe bazamentin që mbante tavanin. “Për fat të mirë, para nesh kishin gërmuar edhe të tjerë për hekur. Ata kishin krijuar grumbuj çimentosh të copëtuara, mbi të cilat qëndroi tarraca duke krijuar pak hapësirë për trupat tanë”, tha i riu. Sipas tij, në Ersekë nuk ka një punë të sigurtë për ta. Ata rrojnë familjarisht vetëm me një ndihmë ekonomike prej 3 mijë lekësh në muaj, ndaj ishin të detyruar të punonin për bukën e gojës, në ndërtim, duke mbledhur hekurishte e ku të mundnin. “Më dhemb shumë koka, veçanërisht këtu prapa, më dhemb edhe tërë kurrizi sepse më shtypi betoni, pastaj kam të thyer edhe shputën e këmbës. Nuk e di nëse do të bëhem më siç isha”, përfundon rrëfimin e tij Altin Shkoza, i cili i shpëtoi mrekullisht ngjarjes që ndodhi pasditen e së enjtes.