Vlorë, nuk gjendet defekti, porti shtatë ditë pa energji
VLORE - Ndonëse thuhet se po punohet për të riparuar defektin në linjën elektrike, porti i Vlorës dje hyri në ditën e shtatë pa energji. Sipas burimeve nga ndërmarrja elektrike, edhe gjatë ditës së djeshme është punuar, por rrjeti është dëmtuar në disa vende dhe është shumë e vështirë për të gjetur saktësisht të gjitha defektet. Për të gjetur të gjitha defektet duhet hapur i gjithë kanali ku kalon kablli (rrjeti është nëntokësor), por terreni është i vështirë pasi ka edhe objekte të ndërtuara mbi të. Puna në pikën e kalimit kufitar, kontrollet e pasaportave dhe të dokumenteve bëhen duke vënë në funksion kompjuterat dhe sistemin me gjenerator elektrik. Tashmë fluksi i pasagjerëve vjen çdo ditë duke u rritur, për shkak se shumë emigrantë kthehen në vendlindje për të kaluar pushimet. Por mungesa e energjisë ka shkaktuar vështirësi për punonjësit e portit, të cilët janë të detyruar të ndezin gjeneratorët vetëm në rastin e përpunimeve kur vijnë tragetet e më pas gjithçka është në errësirë. Në pikën e kalimit kufitar të Portit të Vlorës, dje u regjistruan 630 pasagjerë dhe 127 automjete. Në krahasim me të njëjtën datë të vitit të kaluar, dje u përpunuan 200 pasagjerë më shumë. q.b