Denoncon të shoqin për dhunë nga xhelozia, arrestohet 43-vjeçari
TIRANE - Burri dhunon gruan për motive xhelozie, policia ndalon bashkëshortin. Gruaja e dëmtuar dhe me shenja dhune në trup është paraqitur në Komisariatin nr.4 të policisë së Tiranës, ku ka denoncuar të shoqin për dhunë fizike të ushtruar ndaj saj. Jakup Krasniqi, 43 vjeç banues në Tiranë, është denoncuar nga bashkëshortja e tij 35-vjeçare mbrëmjen e të shtunës. Gruaja u ka thënë policëve se ishte dhunuar nga bashkëshorti i saj për shkaqe xhelozie. Sipas burimeve të policisë së Tiranës e dëmtuara është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në kryeqytet për të kryer një ekzaminim mjeko-ligjor. Kjo procedurë është vendosur të kryhet për të përcaktuar shkallën e dëmtimit të bashkëshortes së dhunuar, pavarësisht se shenjat e dhunës sipas policisë ishin të dukshme në trupin e gruas. Pasi kanë marrë kallëzimin, oficerët e krimeve të Komisariatit nr.4, kanë kaluar rastin e gruas për veprime të mëtejshme në Seksionin e Krimeve e Dhunës në familje, i cili ka kompetencë hetimin e ngjarjeve të tilla. Pas marrjes së kallëzimit, bashkëshorti i të dëmtuarës, Jakup Krasniqi, është shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë nr.4, ku edhe është ndaluar nga policia. Menjëherë pasi ka përfunduar raportit mjeko-ligjor mbi dëmtimet e gruas, policia ka kërkuar lëshimin e një urdhri mbrojtjeje për bashkëshorten, ndërsa bashkëshorti i saj është ndjekur penalisht nga Prokuroria në gjendje të lirë. Atij i është bërë e qartë se përsëritja e dhunës ndaj gruas do ta çonte direkt në qeli.