E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvrasjet, i mendojnë 9 % e fëmijëve

 

Si pasojë e dhunës psikologjike apo fizike, rreth 9 % e fëmijëve në vendin tonë kanë menduar vetëvrasjen. Të dhënat bëhen publike nga studimi i UNICEF për dhunën në familje. Në këtë studim janë marrë në pyetje rreth 1 000 fëmijë nga qytete të ndryshme të vendit si Korça, Gjirokastra, Dibra e Tirana. Sipas të dhënave, fëmijët shqiptarë janë pre e dhunës jo vetëm në shtëpi, por edhe në shkolla. Madje, në ambientet ku ata duhet të arsimohen nuk mungojnë edhe goditjet, apo shtrëngimet për fyti nga mësuesit a shokët e klasës. Kështu 10 % e fëmijëve kanë thënë se, janë goditur me grusht në kokë në ambientet e shkollës, ndërsa mbi 50 % e tyre kanë pohuar se janë shtyrë dhe tërhequr me forcë. Lidhur me pasojat e dhunës fizike, 1 në 6 fëmijë ka përjetuar marrje mendsh në shtëpi pas dhunimit nga prindërit, 1 në 14 fëmijë ka pësuar gjendje të fikëti, kurse 1 në 4 fëmijë ka pasur mavijosje dhe gjakosje pas dhunimit. Të rritur në ambiente ku keqtrajtohen, fëmijët shqiptarë përdorin shprehjen: “Të më rrahin kur e kam hak”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›