E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja nga infeksioni, mjekët gabim

Pacienti që humbi jetën tri ditë më parë në Spitalin Ushtarak ka vdekur prej infeksionit dhe baktereve në gjak edhe pse në spitalin e Korçës mjekët kishin pretenduar se ai nuk kishte sëmundje infektive. 

Trazhgim Sokolaj

 Madje, me këtë përfundim të arritur prej tyre, ata i kanë caktuar Sotiraq Naumit një kurë ilaçesh, e cila edhe pse është aplikuar për dy ditë me radhë nuk ka bërë asnjë efekt tek pacienti 53-vjeçar. Këto mospërputhje janë elementët e parë që ka marrë në konsideratë hetimi i Prokurorisë së Tiranës i filluar ndaj mjekëve, menjëherë pas lajmërimit për vdekjen e 53-vjeçarit Sotiraq Naumi në Spitalin Ushtarak. Sipas të dhënave të marra nga kartelat mjekësore, gjendja e 53-vjeçarit tri ditë pas paraqitjes në spitalin e Korçës veçse është rënduar më tej ndërsa kur po kalonte një “vdekje klinike”, Sotiraq Naumi është nisur për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Pacienti ka qenë i shoqëruar nga një mjek reanimator i spitalit të Korçës, ndërsa është verifikuar në Spitalin Ushtarak se ai ka pasur infeksion të përparuar dhe baktere në gjak. Prokuroria thotë se ky është një përfundim i mjekëve në Tiranë, i cili vë në dukje diagnostifikimin dhe mjekimin e gabuar të pacientit nga mjekët në Korçë, të cilët kanë bërë një analizë gjaku dhe urine për pacientin, por duke mohuar që ai të kishte probleme infektive, madje e kishin kuruar për dy ditë për sëmundje të tjera.
Hetim mjekëve
Prokuroria e Tiranës tha se, hetimi për këtë rast në adresë të mjekëve të spitalit të Korçës është ende në fillesat e tij. Në dosje ndodhen materialet e para të mbledhura prej hetuesve dhe tashmë edhe një denoncim nga familjarët e 53-vjeçarit Sotiraq Naumi që kanë parë tek ai vetëm përkeqësim edhe pas shtrimit në spitalin e Korçës. Ata kanë akuzuar mjekët e këtij qyteti për mjekim të gabuar të Sotiraq Naumit. Në dosje hetuesit kanë administruar edhe disa prej shkresave dhe kartelave mjekësore që hedhin dritë mbi analizat, diagnostifikimet dhe mjekimet që ka marrë 53-vjeçari. Burimet zyrtare nga prokuroria e Tiranës thanë se, autopsia e viktimës e cila ende nuk ka përfunduar, është akti i vetëm ligjor që do të hedhë dritë përfundimisht mbi rolin që kanë pasur mjekët në vdekjen e Sotiraq Naumit. Kufoma e tij ndodhet ende në morgun e Tiranës, ku autopsia mbi shkaqet dhe rrethanat e vdekjes ende nuk ka përfunduar. Gjatë ditës së sotme Prokuroria pritet të marrë në administrim aktin e autopsisë dhe sipas burimeve të hetimit, pas kësaj, mjekëve ligjorë mund t’u kërkohet një tjetër konfirmim më i specializuar rreth shkakut të vdekjes së 53-vjeçarit, me qëllim saktësimin e gabimit që kanë bërë mjekët e Korçës në trajtimin e tij. Pas administrimit të autopsisë në dosjen penale, prokuroria shtoi se, do të marrë në pyetje mjekët që kanë trajtuar Sotiraq Naumin dhe më pas do të ndërmarrë veprimet konkrete hetimore për këtë rast.  

Mbrojnë kolegun: Pacienti u trajtua nga një grup mjekësh

KORÇE – Mjekët e spitalit të Korçës kanë dalë në mbrojtje të kolegut të tyre që është marrë me trajtimin e Sotiraq Naumit, personit që humbi jetën tri ditë më parë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ata kanë marrë kolektivisht përgjegjësinë duke u shprehur se 53-vjeçari që gjeti vdekjen nga infeksioni në gjak, ishte trajtuar nga një grup mjekësh dhe jo vetëm nga një i tillë. Bluzat e bardha të Korçës, kanë reaguar dje ndaj nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Tiranës për vdekjen e pacientit. Ata kanë pretenduar se 53-vjecari Sotiraq Naumi, kishte mbërritur në spitalin e Korçës në gjendje të rënduar pasi ishte mjekuar për tri javë në shtëpinë e tij me antibiotikë. Sipas nëndrejtorit të Spitalit të Korçës Ilir Koroveshi, 53-vjeçari ishte shtruar në spital me gastroenterit në repartin e infektivit që prej 4 ditësh. “Pacienti ka ardhur në gjendje të rëndë, me bark, të vjella dhe temperaturë të lartë. Për dy ditë i është nënshtruar një terapie intensive dhe më pas është transportuar në repartin e reanimacionit, pasi gjendja e tij është rënduar”, tha nëndrejtori i spitalit. Mjekët pohuan se fillimisht dyshohej për sëmundje të rëndë infektive, por më pas në bazë të analizave të gjakut dhe analizës së urinës është vërtetuar se nuk ka pasur një sëmundje të tillë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›