Policia kontroll për të kërkuarin, familjarët: Shkaktuan terror te ne
FIER – Një kontroll i cilësuar si rutinë nga policia ka tmerruar pjesëtarët e një familjeje në fshatin Vërri të Fierit. Fakti i të qenit të afërm të një të personi të shpallur në kërkim, ka çuar blutë e këtij qyteti dje rreth orës 15:00 në një kontroll të befasishëm në banesën e Llazar Bitajt. Sipas familjarëve, askush prej policëve nuk u ka treguar atyre asnjë mandat-kontrolli të lëshuar nga prokuroria. Ata pohojnë se policët kanë kontrolluar dhunshëm banesën dhe se kanë lëshuar edhe kërcënime drejt tyre, duke shkaktuar tmerr dhe panik në familje, ku kishte edhe të mitur. “Nuk na treguan asnjë dokument. Me armë në duar, më shumë se 40 policë kërkonin nëpër oborr, pastaj u shpërndanë nëpër dhomat e shtëpisë. Dy prej tyre ishin me uniformë e të tjerët civilë. S’dinim çfarë po ndodhte me ne. Ishim si në ëndërr dhe prisnim sa të përfundonte”, ka pohuar e zonja e shtëpisë Behije Bitaj. Vetëm pasi i ka pyetur për kontrollin, efektivët blu u kanë pohuar se po kërkonin nipin e saj, Taulant Çukon, person të shpallur në kërkim. “Nuk kundërshtojmë nëse shteti bën punën e vet, por jo në këtë mënyrë se na kanë tromaksur. Nipi im është vetëm 4 vjeç dhe prej atij çasti vetëm qan. Me ç’të drejtë na dhunojnë brenda shtëpisë sonë?”, shton ajo duke treguar se aksioni i policisë në banesën e saj i ka përngjarë një filmi. Ndërkohë jo më pak i traumatizuar ka mbetur edhe kryefamiljari Llazar Bitaj. Ai ka qenë mbi soletën e shtëpisë në momentin e ndërhyrjes policore. Vetëm kur ka dëgjuar ulërimat e grave ka zbritur për të parë çfarë kishte ndodhur. “I dëgjova që ulërinin dhe më shkoi mendja tek ndonjë gjëmë, se i kemi fëmijët të larguar dhe me halle. Kur zbrita pashë që shtëpinë e kishin kthyer përmbys. Kishin hapur dollape, bufe, dyshekët i kishin hedhur në shesh. Nuk më lanë kohë as t’i pyesja sepse më bërtitën: ‘ku e keni futur, do t’u mbyllim juve në burg?’, gruas time i thonin ‘do të të marrim burrin brenda’”, tregoi për “Panorama”-n i zoti i shtëpisë. Ndërkohë nga ana e policisë është mohuar fakti që kontrolli në banesën e familjes Bitaj të jetë bërë pa mandat. Sipas tyre, efektivët janë në krye të detyrës dhe nuk mund të ndalen kontrollet e tyre nga pretendime të familjarëve. m.r