Miniera e Munellës, marrëveshje për pagat
• Punëtorët e minierës së Munellës në Fushë-Arrëz do të përfitojnë shtesë page deri në masën 50%. Ministria e Punës ka nënshkruar marrëveshjen me përfaqësuesit e firmës “BerAlb”. Kështu sipas kësaj marrëveshjeje, punonjësit do të përfitojnë në fazën e parë të pagës mujore shtesën në masën 30%, që nga 1 shkurti i 2008-ës. Ndërsa një shtesë të dytë të pagës në masën 20%, më 1 shkurt 2009. Ndërkaq palët kanë rënë dakord edhe për shlyerje të të gjitha detyrimeve të prapambetura të sigurimeve shoqërore për punonjësit. Gjithçka e bëri me dije dje gjatë një konference për shtyp ministri i Punës, Kosta Barka. Sipas tij, inspektimet do të vazhdojnë në të gjitha sipërmarrjet e rëndësishme. Së shpejti bashkë me specialistë të tjerë të dikasterit që drejton ai ka planifikuar të vizitojë minierën e Bulqizës, ku do të kontaktojë me përfaqësuesit e firmës dhe minatorët.