Grevistë të përjetshëm
• Elsa BallauriDuket sikur dita e 20 shkurtit kalon rreshnjanjëzi nga viti në vit duke u zbehur. Ftesa që mora nga Shvarci për të marrë pjesë në përkujtimin e grevës së urisë të shkurtit ’91, ishte si një moment shumë i veçantë dhe befas e mora shumë seriozisht shprehjen e tij të fundit: “..mungesat pa arsye janë të pajustifikueshme”. Truri sikur kërkon të çlodhet në disa momente të vjetra dhe të vërteta. Këtë po ndjeja edhe kur hyra në sallën Balsha, ku fotot e Roland Tashos ishin afishuar në muret e sallës. Fotografitë bardh e zi, më dukej sikur ishin pjesa më reale dhe më optimiste e atij ambienti. Për herë të parë, pas kaq vitesh, pashë një takim përkujtimor kaq të qetë, gati-gati mortor në mënyrën e thjeshtë dhe pa deklamime të atyre që folën. Secili tha ca fjalë të qeta, të pangarkuara me mburrje dhe krenarira. Të ftuarit ishin vetëm ata, protagonistët idealistë studentë të vitit ’91 që kur hynë në grevën e urisë iu dukej sikur po shkonin në një aventurë turistike. “Vetëm kur policia mbylli dyert dhe nuk lejoi prindërit të hynin në godinë, atëherë e kuptuam se ishte diçka serioze”, kujtojnë ata. Të ftuarit ishin vetëm ata, studentët “harrakatë” të viti 1991 që për të kaluar në mënyrë sa më të këndshme ditët e grevës, argëtoheshin duke dëgjuar zërat anonimë që imitonin diktatorin dhe që të paktën kishin lirinë që brenda mureve të fakultetit të flisnin atë që mendonin me zë të lartë…Pa dyshim që secili nga pjesëtarët e parmbrëmshëm ka shumë kujtime. Por, dukej se mungonte pasioni dhe dëshira për të rikujtuar. Kishte një stepje dhe lodhje dhe befas dukej sikur mund të bëheshe qesharak po të kujtoje më shume detaje seç duhej. Në aspektin njerëzor individual, natyrisht është normale një sjellje e tillë, madje edhe fisnike. Ajo që bëhet me sinqeritet dhe natyrshëm, nuk ka nevojë të përsëritet për reklamë. Por, unë pata një shqetësim të vogël që pastaj u bë serioz derisa mendova se duhet ta them me zë të lartë: pse e shtypim memorien tonë, pse e shmangim atë dhe nuk e shfaqim dot. Nuk dimë të selektojmë kujtimet dhe të rrëfejmë ato që na ndihmojnë të krijojmë vetveten. Mbetemi gjithmonë në dorë të yllit të rastësishëm që ndriçon për një çast dhe vdes dhe jo të atij që do të jetojë gjatë. Si përherë jemi produkte sensitivë të momentit. Unë e di se secili nga pjesëmarrësit në atë takim përkujtimor ka shumë për t’iu treguar studentëve të tanishëm, të cilët pothuajse nuk dinë asgjë se ç’ëndrra ishin projektuar pas atyre fytyrave bardh e zi nëpër fotot e Tashos. Ish-studentët nuk i interviston më njeri, edhe gazetarët e rinj bëjnë pyetje absurde. Ish-studentët janë lodhur së foluri dhe së ëndërruari. Pasi janë drobitur nëpër botë pa e arritur ëndrrën e kërkuar, pasi janë zhgënjyer nga atdheu, ata preferojnë të heshtin dhe pa asnjë pasion të kujtojnë ditët e grevës së tyre që është një nga historitë më trimërore të shqiptarëve modernë. Nga ana tjetër studentët e tanishëm, nuk dinë të pyesin. Ata nuk e njohin të kaluarën dhe ajo nuk i intrigon dhe nuk iu intereson. S’kanë asnjë hije kujtese dhe vetvetiu lidhja mes dy brezave bëhet e pamundur…E megjithatë ishte mirë të ishe pjesëtar i takimit të parmbrëmshëm me ata grevistë të përjetshëm sepse ishte i vërtetë, megjithë trishtimin që mbartte.