Katastrofa në Haiti, Topi e Meta letër ngushëllimi
15/01/2010 Drejtuesit e lartë të shtetit solidarizohen me homologët e tyre
Numri dy i qeverisë ofron mbështetjen e ekzekutivit për situatën
Drejtues të lartë të shtetit shqiptar u kanë dërguar dje mesazhe ngushëllimi autoriteteve të larta të Haitit për faqkeqësinë që pësoi ky vend tri ditë më parë si pasojë e tërmetit. “Më lejoni, Shkëlqesi, që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal t’ju shpreh Juve dhe familjeve e të afërmve të viktimave solidaritetin me vendin tuaj dhe ngushëllimet më të thella për të gjithë popullin e Haitit, që u trondit nga kjo katastrofë, duke shpresuar që situata të kapërcehet sa më lehtë!”, - shkruan në meszhin e tij të ngushëllimit Presidenti i Republikës Bamir Topi drejtuar Presidentit të Republikës së Haitit, Rene Garsia Preval. Përmes një letre ngushëllimi drejtuar ministres së Punëve të Jashtme të Haitit Marie-Michèle Rey edhe zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta ka shprehur solidaritetin dhe simpatinë më të thellë ndaj popullit Haitian. Po ashtu ai ka shprehur vullnetin e qeverisë shqiptare për të kontribuar përkrah partnerëve ndërkombëtarë për kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate dramatike. “Jemi gati të kontribuojmë përkrah partnerëve tanë ndërkombëtarë për kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate dramatike”, - shkruan Meta në letrën e tij.