E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depo provera dobëson kockat

Një studim i ri tregon se një lloj ilaçi kundër shtatzënisë mund të jetë i dëmshëm për kockat e grave. Ilaçi kundër shtatzënisë i njohur si Depo provera, është një alternativë e përhapur mes grave, sepse Depo provera merret me injeksion 4 herë në vit dhe jo çdo ditë, siç ndodh me barnat e tjera kundër shtatzënisë. Por studimi i ri paralajmëron gratë që marrin Depo provera se ky ilaç mund të jetë i dëmshëm për kockat e tyre. Mjekët në Universitetin e Teksasit vëzhguan për dy vjet gjendjen shëndetësore të 95 grave që merrnin Depo provera dhe rregullisht analizuan gjendjen e kockave të tyre. Tek 50 për qind e grave në studim u vu re një rënie e konsiderueshme e dendësisë minerale në kockën e shtyllës kurrizore. Kjo humbje densiteti mund të çojë në rrezik për frakturë apo thyerje. Depo provera, gjithashtu, krijon një çrregullim hormonal, që shkakton parandalimin e shtatzënisë dhe njëkohësisht dobëson strukturën e kockës. Studime të mëparshme kanë lënë të kuptohet se shëndeti i kockave përmirësohet kur gratë ndërpresin marrjen e Depo proverës. Por kjo nuk është e sigurt, prandaj mjekët këshillojnë gratë që ta kufizojnë marrjen e Depo proverës deri në jo më shumë se dy injeksione në dy vjet. Gratë që pinë duhan, janë më në rrezik për dobësimin e kockave, thotë studimi, dhe për të pakësuar këtë rrezik, cigarja duhet lënë. Për forcimin e kockave mjekët gjithashtu rekomandojnë marrjen e kalciumit dhe vitaminës D.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›