E Diel, 1 Nëntor 2026

Depolitizimi i deputetit...

A e keni takuar ndonjëherë deputetin tuaj? Sa herë gjatë këtij mandati? Po kur është i partisë “tjetër” si ia keni bërë për ta takuar dhe biseduar për ndonjë problem personal apo qytetar? Të gjitha këto pyetje të tipit anketë nuk i kam në dorë në mënyrë zyrtare, por i di mirë rezultatet negative të tij, nga testimi gojor me njerëzit që përbëjnë opinionin publik. Në fakt ato i dinë të gjithë shqiptarët, se në ç’relacione janë si qytetarë me deputetin e tyre. Ky problem esencial i raportit të politikës me qytetarin duhet shtruar pikërisht tani që jemi para përfundimit të reformës zgjedhore, e cila ka mundësi që të ndikojë në dy drejtime themelore: përmirësimin e cilësisë profesionale të parlamentarizmit shqiptar dhe krijimin e kushteve për “depolitizimin” e deputetëve në raport me qytetarët, si kërkesë e shoqërisë moderne “post-ideologjike”... Sepse deri tani parlamentarizmi ynë ka paradokse që janë kalçifikuar dhe janë bërë konstante të pandryshuara, që nga fillimi i jetës demokratike parlamentare. Ka dy dekada që politika e konceptuar në shtratin e militantizmit banal, ka deformuar demokracinë në pikën e fortë, në institucionin më të rëndësishëm, në veprimtarinë e Parlamentit që është tempull i demokracisë dhe përfaqësues legjitim i vullnetit të popullit. Të gjithë janë dëshmitarë të disa dukurive që vërtetojnë këtë realitet. Deputetët shqiptarë përgjithësisht duke qenë përfaqësues të partive politike të caktuara, mbajnë qëndrime të diferencuara militanteske me elektoratin e tyre. Mbajnë lidhje më shumë me militantët dhe simpatizantët e tyre, dhe fare pak ose aspak me qytetarët që kanë votuar kundër. Ky realitet, kjo sjellje politike e deputetëve është e përgjithshme. Provo të takosh deputetin, nëse nuk është i orientimit politik apo i partisë tënde, sa e vështirë është. Në mos e pamundur. Nga njëra anë ndrojtja politike e qytetarit që ka humbur, nga ana tjetër, është qëndrimi i ftohtë i deputetit me qytetarët “kundërshtarë”, që nuk kanë votuar për të, apo aq më shumë që kanë votuar kundër. Pse ky politizim kaq i skajshëm i deputetit, që nominalisht njihet si “përfaqësues i popullit”? A mund të jetë i tillë deputeti kur e ndan popullin si elektorat politikisht në “dy pjesë”? A është deputeti përfaqësues i atyre që kanë votuar kundër në zonën e tij? Apo është vetëm përfaqësues i gjysmës së qytetarëve që janë politikisht me të? Politizimi i skajshëm militantesk i deputetëve tanë është një realitet emocional që ndihet jo vetëm në rrafshin e përgjithshëm politik, poredhe në ambientet qytetare empirike.Qëndrimi i diferencuar me qytetarët, karshillëku, mosbegenisja është një deformim i rëndë i parlamentarizmit shqiptar që ka kosto për demokracinë tonë qytetare. Në fakt asnjëherë nuk është folur në politikën shqiptare në këto dy dekada për dukurinë moderne të parlamentarizmit, e cila në politologjinë moderne quhet fenomen i “depolitizimit të deputetit”. Fjala është që në botën moderne me demokraci të konsoliduar, deputeti pasi zgjidhet i zbut tonet e përkatësisë politike dhe zgjeron hapësirën e komunikimit të barabartë qytetar, pavarësisht nga përkatësia politike. Por një pjesë e deputetëve tanë, ngaqë nuk kanë koncept të qartë për teorinë e përfaqësimit, nuk përfaqësojnë vullnetin e përgjithshëm të qytetarëve. Realitetet e politikës sonë vërtetojnë se pjesa më e madhe e deputetëve, gjatë mandatit që tani po i afrohet fundit, jo vetëm që nuk e kanë treguar veten përfaqësues të elektoratit pavarësisht që ka votuar “pro” apo “kundër”, por akoma më shumë ata kanë ndjekur vijën e njohur të politizimit, sipas “dialektikës regresive” të largimit gradual të tyre nga zgjedhësit. Diagrama e ftohjes së deputetit me qytetarin, ka “taktikën” e vet. Gjysma e elektoratit që ka votuar kundër, largohet me metoda të inkomunikimit emocional dhe fizik, që në ditën e parë të zgjedhjes e deri në fund të mandatit. Kjo gjysmë është politikisht e margjinalizuar dhe humbet kështu, të drejtën legjitime të përfaqësimit të interesave, apo të shtrimit të kërkesave. Si rregull deputeti nuk ka punë me ata që kanë votuar kundër. Në këtë fazë janë më me fat qytetarët “politikisht të ngjashëm” me deputetin. Por edhe lidhja me shtresën e “qytetarëve fitimtarëve” nuk zgjat shumë. Të vetmit që kanë mundësi të takohen më shpesh dhe më shpejt me deputetin, janë të afërmit dhe miqtë e tyre.Meqenëse tani jemi në prag të zgjedhjeve të reja të vitit 2009 dhe në procesin e hartimit të Kodit të ri zgjedhor, nuk do të ishte keq që paraprakisht të ekzaminojmë disa defekte të “sistemit elektoral” të kaluar që kanë ndikuar negativisht në veprimtarinë politike dhe parlamentare të deputetit. Nga pikëpamja politologjike sipas mendimit tim, konstatohen dy të meta të parlamentarizmit shqiptar që janë tipike në veprimtarinë e deputetëve tanë. Së pari aktiviteti dhe veprimtaria e tyre si përfaqësues “uninominal” i një zone elektorale, është konceptuar e lidhur me përfaqësimin e ngushtë të saj. Por ajo që është më shumë shqetësuese është fakti se deputeti duke qenë se mandatin e merr nga partia e tij, ka pak mundësi që të ketë autonomi politike dhe autoritet personal të pavarur. Ata respektojnë në mënyrë fanatike partinë dhe është tepër e vështirë të jenë në ndonjë rast me gjykim personal të pavarur, apo ndryshe nga vullneti taksativ i grupit parlamentar.Disiplina partiake është e domosdoshme për jetën parlamentare. Por kur kjo bëhet e hekurt, deputeti bëhet një “kukull e vogël” në duart e partisë. Në këtë pikë kam frikë se nga mënyra se si do të zgjidhen deputetët e legjislaturës që vjen, ka mundësi që defektet e vjetra të vartësisë së deputetit nga partia, mund të thellohen më shumë, sepse ato janë defekte të njohura të “sistemit proporcional nacional”. Duke mos qenë i kondicionuar në një zonë, deputeti ka normalisht më shumë mundësi politike që të jetë i “pavarur”, të “kapërcejë kufirin” e determinuar të përfaqësimit të elektoratit lokal, duke u bërë një “figurë ligjvënëse kombëtare”. Kjo është gjë e mirë sepse mundëson zgjerimin e diapazonit të ndikimit politik të deputetit. Ky është një kusht favorizues, që i lejon hapësirë “lirie” deputetit i cili duke qenë i lirë nga “zona politike” ka mundësinë e shfaqjes si “figurë apolitike”, në zona në të cilat nuk ka lidhje dhe obligime personale, që vijnë nga njohjet dhe angazhimet politike nominale të elektoratit. Në këtë pikëpamje Parlamenti që do të dalë nga zgjedhjet e 2009-ës do të ndikojë pozitivisht, për t’i dhënë fund politikave klienteliste të deputetëve.Qytetarët kanë dëshirë për një tjetër staturë e tipologji të deputetit modern, që të ngrihet mbi koracën e ngushtë partiake, që e vë veten në funksion të interesit të përgjithshëm kombëtar dhe qytetar. Ka ardhur koha që politika, Parlamenti dhe deputetët e ardhshëm, të kenë një koncept më modern të rolit të deputetit. ”Depolitizim” i deputetit nuk do të thotë që ata të “tradhtojnë” interesat e partisë, që të bëjnë “akompli” me kundërshtarin. Politika moderne e ka zgjidhur çështjen e “ambiguitetit primitiv”, të veprimit të deputetit si figurë komplekse, që përfaqëson “vullnetin e përgjithshëm” të qytetarëve. Parlamenti është vendi i profesionistëve të politikës, i njerëzve më të mirë, të zgjedhur nga partitë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›