E Diel, 1 Nëntor 2026

Portokallia e Berishës

Ishte një e diel për t’u mbajtur mend ajo e djeshmja. Fundjavë televizionesh. Spektaklesh televizive, me moderatorë, të ftuar, lojëra çiliminjsh dhe rrëfime të rriturish. Një maratonë që paralelisht mbushi ekranet e televizioneve kombëtare dhe sadopak jetët e zbrazura të shqiptarëve. Për ta përmbyllur me spektaklin maratonë të kryetarit të qeverisë shqiptare. Kryeministri i shqiptarëve u bë mbrëmë moderator, rrëfyesi dhe aktori më i paarritshëm i të dielës së vakët të shqiptarëve. Direkt në të gjitha televizionet e vendit, nga më periferiku deri te më kombëtari. Loja aktoreske e tij do të jetë brumi i faqeve të gazetave të sotme. Mblodhi të gjithë spotet që kish prodhuar me miliona eurot e taksapaguesve shqiptare për të bërë spektaklin e të dielës dhe në këmbë, mbështetur te foltorja e drunjtë. Nuk gaboi, edhe pse iu mor goja disa herë kur ngatërronte lekët e reja me të vjetra, ndërsa kalkulonte rritjen e rrogave dhe pensioneve që kish marrë nga Nano dhe sa ua kish bërë shqiptarëve për tre vjet. Nuk e prek edhe pse i përmori faqet e shumta A4 me ujin e gotës së derdhur, për faj të adrenalinës që i rritej nga krahasimi i natës me ditën, Shqipërisë megjiane që kish marrë nga paraardhësi dhe parajsës që u kish dhuruar shqiptarëve në tre vitet e pushtetit të tij. Kroi fytin disa herë dhe zëri nuk iu ngjir, kur deklamonte me krenari se jemi vendi i dytë në botë për ritmin e reformave, se jemi vendi me korrupsionin më të ulët në rajon e më gjerë, se jemi vendi që po shtron çdo sekondë rrugë të reja rurale dhe kombëtare, se kemi përsëritur elektrifikimin e Hoxhës me internetin instaluar në çdo qoshe të Shqipërisë, se Shqipëria është vendi më i sigurtë për të investuar për shqiptarët e të huajt, madje më i sigurtë se “dragonj-shtetet” e Azisë. Harroi të shtonte se një vit më parë, mezi ia mbajti goja të pështynte raportin e Transparency International dhe t’i shqyente publikisht fletët e mbushura me kritika dhe grafika ku kurba e korrupsionit njeh vetëm rritje. Por s’ka gjë, sepse më mirë vonë se kurrë. Shqipëria e qeverisë së drejtuar prej tij, ka patur një vit të begatë dhe ka shënuar rekorde që vende të tjera as mund t’i imagjinojnë. Berisha është kryeministri më krenar dhe më i afti i kohëve tona. Nuk ka ndonjë homolog të tillë rretherrotull apo më gjerë që të ketë vrarë 26 njerëz, plagosur treqind dhe shfarosur një fshat të tërë, që pas gjashtë muajsh është, jo vetëm në pushtet, por madje në supremaci. Nuk ka kryeministër në botë që të jetë aq krenar sa ai pse vendi po tret dhjamin, ndërsa pushteti vuan nga obeziteti i luksit, shrenimit dhe makutërisë. Nuk ka kryetar qeverie në botë që të jetë aq dritëshkurtër sa të mos shohë se në çfarë derexheje është katandisur një popull i tërë i mashtruar tre vitë më parë nga “koha për ndryshim”, “duart e pastra” dhe shteti i të drejtës.

E diela e djeshme ishte për tu mbajtur mend. Këto vitet e fundit në këtë orë kur Berisha mbushte ekranet e televizioneve, njëri prej televizioneve kombëtare jepte “Portokallinë” një spektakël sarkastik dhe Berisha ishte aktori i preferuar i telespektatorëve. Mbrëmë nuk doli aktori Agron Llakaj, i trukuar, i ngrefosur, i llangosur, me mimikën dhe timbrin e zërit të kryeministrit. Mbrëmë nuk ishte imituesi për humor, por ishte origjinali. Ishte kryeministri që nuk mund të bëjë humor, por vetëm krizë. Përpara nesh për të na treguar se ai është autori i krizës tonë kombëtare dhe ne nuk jemi vetëm spektatorët, porviktimat e kësaj qeverie krize.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›