NATO dhe politika jonë
Në zhurmnajën e politikës sonë, kur të gjithë akuzojnë njëri-tjetrin, kur qeveria mburret vetëm me suksese, kur opozita akuzon qeverinë për korrupsion, kur përplasjet midis aleatëve të mazhorancës dhe përplasjet midis partive opozitare janë rituali i ditës, kur mazhoranca dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën për reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi, për fatin e mirë të kombit tonë vjen dhe sihariqi i mirëpritur nga shqiptarët se Senati Amerikan votoi me unanimitet ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Natyrshëm të gjithë shqiptarët përsëri themi: “Thank You USA!”, “Faleminderit Amerikë!” Faleminderit Senatorë të nderuar të SHBA-së! Faleminderit Përfaqësues të politikës Amerikane!
Për fat të mirë Ambasada Amerikane në Tiranë u prononcua zyrtarisht në kohën dhe momentin e duhur, ndryshe nga ndonjë rast sporadik që është prononcuar me diplomat anonim, këtë radhë Shkëlqesia e tij Ambasadori Withers i jep vetë lajmin Kryeministrit Berisha (sipas Kryeministrit) dhe disa minuta me vonë shprehet me anën e një njoftimi zyrtar duke theksuar se: “Akti i Senatit Amerikan ka një domethënie të jashtëzakonshme. Ai përfaqëson jo vetëm një votë besimi në një prej partnerëve më të palëkundur të Amerikës, por edhe një njohje të sinqertë të vendosmërisë së qeverisë, opozitës dhe, mbi të gjitha popullit shqiptar, për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm”.
Pra, mesazhi është i qartë se të gjitha forcat politike shqiptare duhet të kënaqenme votën e Senatit Amerikan për anëtarësimin në NATO, por nga ana tjetër asnjëra forcë politike nuk mund të mburret se kjo Votë është meritë e njërës apo tjetrës forcë politike.
Pra, siç thuhet edhe në deklaratën diplomatike të Ambasadës Amerikane kjo votë, që nënkupton anëtarësimin në NATO ështëmbi të gjitha për popullin shqiptar.
Natyrisht që vota e Senatit Amerikan për anëtarësim në NATO është një ngjarje e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe për kombin tonë, por mbi të gjitha duhet të jetë për klasën tonë politike. Kjo për faktin se nëse klasa jonë politike gjatë këtyre viteve të tranzicionit ka luajtur me votat e qytetarit sipas dëshirave, tekave apo konjukturave të saj, tani e tutje(që nënkupton anëtarësimin në NATO) gjërat do të jenë ndryshe.
Pse gjërat do të jenë ndryshe dhe çfarëështë NATO?
Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) është një Aleancë e 26 shteteve nga Amerika Veriore dhe Europa e angazhuar për të realizuar qëllimet e Traktatit të Atlantikut Verior, nënshkruar më 4 prill 1949.
Vendet anëtare të NATO-s janë: SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Belgjikë, Bullgari, Kanada, Republika Çeke, Danimarkë, Estoni, Francë, Gjermani, Greqi, Hungari, Islandë, Itali, Latvia, Lituania, Luksemburg, Holandë, Norvegji, Poloni, Portugali, Rumani, Republika e Sllovakisë, Turqi dhe Spanjë.
Bazuar në vlerat e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe zbatimin e ligjit, Aleanca jo vetëm siguron mbrojtjen e vendeve anëtare, por jep kontributin për paqe e stabilitet në rajon.
Aleanca ka një bashkëpunim të përditshëm me sferat politike dhe ushtarake.
Aleanca synon shtimin dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Vendet e Aleancës janë të angazhuara në çdo moment të japin kontributin për parandalimin e krizave, bashkëpunimi midis vendeve Euro-Atlantike me synimin e rritjes së transparencës, besimin reciprok dhe mbështetjen e institucioneve demokratike.
Aleanca luan rol të veçantë në konsolidimin e arritjeve pozitive dhe në përballjen e sfidave të tanishme dhe në të ardhmen. Të ndihmojë vazhdimësinë e rritjes së demokracisë dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik në vendet partnere të NATO-s. Roli i rëndësishëm i NATO-s është të ruajë lirinë dhe sigurinë e vendeve anëtare nëpërmjet veprimeve politike dhe ushtarake.
NATO-ja ka një bashkëpunim të shkëlqyer me Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Bashkimin Europian (BE) që nënkupton se Shqipëria pavarësisht nga tekat e politikanëve tanë të partive të ndryshme do të jenë të detyruar të respektojnë dhe zbatojnë rregullat e demokracisë, që do të thotë se klasa politike shqiptare do të jetë e detyruar të bëjë më shumë për qytetarët shqiptarë në të gjithë aspektet e jetës. Kjo edhe për faktin se që nga momenti i anëtarësimit jo vetëm do të ketë bashkëpunim më të ngushtë, por do të jemi nën monitorimin e përditshëm nga këto organizma dhe natyrshëm për të bashkëpunuar kërkohet partneritet serioz dhe i sinqertë në veçanti me vendet anëtare të NATO-s.
Gjithashtu besoj se në përgjithësi klasa politike shqiptare i kupton detyrimet që do të kemi me anëtarësimin në NATO, që nënkupton se duke qenë anëtare e NATO-s do të thotë të kontribuojë për sigurinë, stabilitetin dhe solidaritetin midis kombeve duke aplikuar ekspertiza teknike më të mira për zgjidhjen e problemeve.
Kështu që është e kuptueshme për çdo politikan shqiptar se, nëse nuk janë të aftë të zgjidhin problemet e vendit të tyre (Shqipërisë), Aleanca nuk të pranon për t’u bërë anëtare e aq më tepër të të mbajë si relikë apo kukull në Aleancë, qoftë kjo edhe për qëllime strategjike siç mund ta mendojë ndonjë politikan shqiptar anëtarësimin e vendit tone në NATO!