E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deportohet nga Amerika, ishte i dënuar për vjedhje me armë



Tiranë - Hetuesit Kriminalë të Policisë së Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) dhe Departamenti Amerikan i Shtetit ekstraduan në Tiranë për tu përballur me drejtësinë shtetasin shqiptarë Fatjon Stërkaj, 30 vjeç. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim numër 486, datë 27.07.1999, e ka dënuar shtetasin Fatjon Stërkaj me 10 vjet heqje lirie për veprën penale të “Vjedhjes me armë” e kryer në bashkëpunim. Me vendim numër 86, datë 15.07.2003 Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur lënien në fuqi të vendimit numër 486 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas vendimit të gjykatës, më datë 10.09.1998, në afërsi të stadiumit “Dinamo” rreth orës 24.00 në Tiranë i është vjedhur nën kërcënimin e armës automjeti tip “Benz” shtetasit Dajlan Avdia. Nga hetimi gjyqësor ka rezultuar fajtor shtetasi Sterkaj, i cili është dënuar edhe me 10 vite burg për veprën penale të vjedhjes me armë. Gjithashtu po dje u deportuan nga SHBA për në Tiranë edhe gjashtë shtetas të tjerë, të cilit nuk kishin dokumentet e duhura për të qëndruar në këtë vend.
Gjatë dorëzimit të Sterkajt në aeroportin “Nënë Tereza” ishin të pranishëm drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Ahmet Prençi, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Agron Kulicaj, shefi i zyrës rajonale të sigurisë në Ambasadën Amerikane, z. Patrick Leonard dhe z. Craig M.Stevens, atasheu i agjencive të zbatimit të ligjit për emigracionin, kufirin dhe doganat.

5 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›