E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët vlerësojnë projektin për ndërtimin e qendrës së riedukimit



TIRANË - Prokurorët e Tiranës vlerësojnë si mjaft pozitive projektin e Drejtorisë së Burgjeve, për ndërtimin e një Institucioni riedukimi për fëmijët, të cilët përfshihen në veprimtari të jashtëligjshme. Burime nga organi i akuzës thanë për gazetën se prokurorët në Prokurorinë e rrethit, që merren me hetimin e minorenëve të akuzuar për vepra penale, u shprehën se ngritja e institucionit të riedukimit, do të ketë impakt në riintegrimin në shoqëri të kësaj kategorie. E shpallur si prioritet trajtimi i çështjeve hetimore për minorenët, në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, nga fillimi i këtij viti funksionon një seksion i posaçëm që realizon procedurat hetimore për të miturit që implikohen në veprimtari kriminale. Pranë kësaj Zyre Hetimi, ku janë regjistruar me dhjetëra procedime penale, në pjesën dërrmuese të tyre me objekt vjedhjen, janë angazhuar hetues dhe prokurorë me eksperiencë në këtë fushë. Kjo zyrë, përveç kryeqytetit mbulon edhe katër qytete si, Krujën, Kurbinin, Matin, dhe Mirditën. Seancat e marrjes në pyetje të minorenëve, mosha e të cilëve varion nga 12-17 vjeç, bëhen në prezencë të një psikologu, duke shënuar një tjetër standard në funksion të garantimit dhe respektimit të të drejtave të tyre Për çështjet e përfunduara hetimore, Prokuroria ka aplikuar kohët e fundit edhe kërkesa për gjykatën, për dënimin e tyre me punë publike.

5 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›