Spartak Ngjela: “Lobing në Parlament për votën e emigrantëve”
Deputeti Spartak Ngjela ka deklaruar se tashmë ka ardhur koha që në Kuvendin e Shqipërisë të krijohet një lobing i fortë deputetësh për të ushtruar presion ligjor, për të mundësuar të drejtën e votës së emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme. Këtë deklaratë, ish-deputeti i PD-së Ngjela e bëri dje gjatë zhvillimit të një tryeze të rrumbullakët, që organizoi grupimi “G99”, ku tema kryesore ishte e drejta e votës së emigrantëve. Në këtë takim merrnin pjesë dy ish-Presidentët e Republikës, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë të G99-s. Çështjet e trajtuara në këtë takim ishin: Regjistrimi i votuesve, mënyrat e mundshme të votimit, votimi i drejtpërdrejtë, votimi me postë, kapacitetet administrative të nevojshme për zbatimin e votës së emigrantit, avantazhet dhe disavantazhet e procesit të votimit si dhe informimi dhe sensibilizimi i votuesve.
Drejtuesi i G99-s, Erion Veliaj, tha se vota e emigrantëve do të sillte ndikime pozitive në kulturën politike shqiptare. “Duke jetuar prej vitesh, kryesisht në vende me demokraci liberale të konsoliduar, vota dhe komunikimi politik me emigrantët do të sjellë pashmangshmërisht ndikim pozitiv në proceset dhe kulturën politike shqiptare në përgjithësi. Kur ta bëjmë të mundur që të votojnë, ata do të jenë sigurisht ndër bartësit më të sigurt të vlerave demokratike perëndimore”, - tha Veliaj.
Ndërkaq, ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, tha se që në vitin 2003 kishte kërkuar nga Parlamenti që të konkretizonte nismën e shpallur prej tij për të siguruar dhe garantuar të drejtën e votës së emigrantëve. Madje ai akuzoi edhe kryeministrin Berisha, se kishte shkelur premtimin që i kishte bërë Moisiut për krijimin e një ministrie emigracioni që duhet të kujdesej për emigrantët shqiptarë kudo në botë. “Në vitin 2003 kam kërkuar nga deputetët e Kuvendit që të mbështesnin nismën për votën e emigrantëve, por nuk u bë asgjë, ndërsa gjatë vitit 2005 kryeministri Berisha ra dakord me mua për krijimin e një ministrie për emigrantët. Por edhe për këtë nuk është bërë asgjë. Politika shqiptare është kampione për demagogji. Flet shumë, premton shumë, por nuk bën asgjë”, - tha Moisiu.
Ndërkohë, ish-presidenti Rexhep Meidani tha se pjesëmarrja e emigrantëve do të jetë përcaktuese në proceset politike në Shqipëri.
5 Qershor 2008