Teliti e Toma në gjykatë, shtyhet padia
TIRANË- Mungesa e prokurorit Arben Kraja është bërë shkak për shtyrjen e seancës së parë gjyqësore, në procesin e hapur prej të pandehurve Armand Teliti dhe Andi Toma. Ka qenë ora 10:00 e paradites së djeshme, kur dy të pandehurit Teliti dhe Toma, të shoqëruar nga avokati i tyre mbrojtës, janë paraqitur pranë togave të zeza, për zhvillimin e seancës së parë gjyqësore të kundërshtimit të zgjatjes së afateve hetimore edhe për një muaj nga prokurori i dosjes së Rreshen-Kalimashit, Arben Kraja. Por mungesa e këtij të fundit ka bërë që gjyqtari Sokol Tona të ndërpresë shqyrtimin e kërkesë- padisë së dy të pandehurve dhe të shtyjë seancën për me datë 17 nëntor të këtij viti në ora 10:30 të paradites, për të qenë i pranishëm prokurori i çështjes i cili mësohet se ndodhet në Çeki si përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme në një seminar ndërkombëtar. Sipas pretendimeve të dy të pandehurve, Teliti e Toma, organi i akuzës ka bërë zgjatjen e afateve hetimore pa asnjë shkak ligjor, duke ngritur dyshime se këto veprime të prokurorisë janë të qëllimshme për të dëmtuar imazhin e qeverisë ku ata kanë punuar dhe punojnë. “Shtyrja e afatit hetimor edhe për një muaj, është një veprim i pajustifikueshëm i organit të akuzës dhe i qëllimshëm për të dëmtuar imazhin politik”,-thanë ata, duke akuzuar prokurorisë se po zvarrit çështjen me qëllim për të arritur datën e përfundimit të hetimit. Sipas akuzës, ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën gjatë projektimit, tenderimit dhe deklarimit të fituesit për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, konkretisht të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Dy të pandehurit e tjerë, Armand Teliti dhe Andi Toma, akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “ushtrim të ndikimit të paligjshëm tek vartësit”.