E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtari vret veten pas telefonatës me familjen

Gëzim Adri, ushtar në Mullet, i ka dhënë fund jetës gjatë kohës së shërbimit. Mister motivet

TIRANË- Vetëvritet në shërbim një ushtar 19-vjeçar. Ngjarja e rëndëndodhi dy netë më parë në repartin e Gardës së Republikës në Mullet të Tiranës, ku Gëzim Adri nga fshati Podgorie i Korçës është vetëvrarë me armë zjarri gjatë shërbimit. Specialistët e seksionit kundër krimit të jetës dhe shëndetit pranë policisë së Tiranës si dhe prokurorë ushtarakë mbërritën pranë repartit për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Burime nga policia thanë se 19-vjeçari është gjetur i pajetë në kabinën që shërbente si vendroje ku ai qëndronte gjatë shërbimit. Ndërsa mbi trupin e tij është gjetur edhe arma e zjarrit automatike e shërbimit, me të cilin ushtari qëlloi veten. Gëzim Adri kishte rreth pesë muaj që shërbente në repartin e Gardës së Republikës në Mullet. Rreth orës 21:00 të së mërkurës, ai mori shërbimin duke qëndruar në vendroje. Pak metra më larg, në një tjetër vendroje, qëndronte me shërbim kushëriri i 19-vjeçarit. Ai ka parë Adrin të lëvizë automatikun ndaj dhe ka reaguar menjëherë duke e pyetur se çfarë po i ndodhte. “Pse po e lëviz automatikun”,- mësohet t’i ketë thënë kushëriri Adrit, i cili i është përgjigjur me një ton irritues se nuk kishte punë se çfarë bënte ai me automatikun. “Ty nuk ka ç’të duhet se ç’bëj unë me automatikun” dhe pas këtyre fjalëve ushtari tjetër ka dëgjuar një breshëri plumbash, ndërsa nga vendroja ku qëndronte kushëriri i tij nuk u dëgjua më asgjë. Menjëherë ai lajmëroi eprorët dhe më pas policinë. Kjo e fundit nisi hetimet për të zbardhur rrethanat e vetëvrasjes. “Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe trupit të ushtarit, rezultoi se arma ishte shkrehur me breshëri dhe tre prej plumbave depërtuan në kokën e 19-vjeçarit. Policia gjeti armën në duart e të ushtarit i cili kishte gjetur vdekjen e menjëhershme” thanë për “Shekullin” burime nga policia. Mësohet se pak minuta para se të merrte shërbimin, i riu kishte marrë një telefonatë nga familja e tij, por ende nuk dihet biseda që ata kanë konsumuar. Policia e Korçës do të marrë në pyetje familjarët e të ndjerit për të mësuar ndonjë motiv që mund të ketë shtyrë 19-vjeçarin të ndërmarrë aktin fatal, fill pasi bisedoi në telefon me ta. Në pyetje është marrë edhe kushëriri i viktimës i cili është edhe dëshmitar i ngjarjes. K.Kotorri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›