KLD dhe Prokuroria, kundër projekt-buxhetit në Kuvend
TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme parashikohen të kalojnë një vit të vështirë financiar, pasi qeveria nuk i ka pranuar kërkesat për shtim fondesh, në parashikimin e projekt- buxhetit të vitit 2009. Dy krerët e këtyre institucioneve të pavarura kushtetuese, kryeprokurorja Ina Rama dhe zvkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, shfaqën hapur pakënaqësitë e institucioneve që ata drejtojnë para anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, në lidhje me fondet e vëna në dispozicion nga Ministria e Financave për vitin 2009. I pari që ka dalë para anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Ligjeve për të diskutuar mbi projekt-buxhetin e parashikuar nga qeveria ka qenë ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj i cili në fjalën e tij u shpreh i kënaqur në lidhje me buxhetin e caktuar për vitin 2009. Por ndryshe nga Alibeaj, Prokurorja e Përgjithshme dhe nënkryetari i KLD-së theksuan pamjaftueshmërinë e buxhetit për nevojat e institucioneve që ata drejtojnë.
“Duke ritheksuar para jush se një strukturë e mjaftueshme lëviz në raport të drejtë me investimet më të larta për realizimin e objektivave të Këshillit, kërkojmë të konsideroni nevojat e vlerësuara prej nesh për rritjen e numrit të punonjësve të këshillit, ashtu edhe të investimeve të brendshme në zërin e shpenzimeve kapitale të trupëzuara të buxhetit të tij, në masën 10 milionë lekë të reja, kërkesë këtë që e kemi shoqëruar me anekset dhe sqarimet përkatëse. Pas kësaj kërkese, neve na rezulton se buxheti i akorduar nga Këshilli i Ministrave është vetëm 2 milionë lekë, që i bie 5 herë më pak se sa nevojat e përllogaritura prej nesh”,- tha zvkryetari Kreshnik Spahiu para anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Edhe kryeprokurorja Ina Ramakundërshtoi projekt-buxhetin e propozuar nga Ministria e Financave, duke kërkuar që anëtarët e Komisionit të ndikojnë që fondit të Prokurorisë së Përgjithshme t’i shtohen edhe 20 milionë lekë të reja. “Ministria e Financave, në projekt- buxhetin e parashikuar i heq nga paga prokurorëve rreth 8 milionë lekë të reja, para këto që hiqen nga pagesa e 25 % të sigurimeve shëndetësore. Nga një janari i vitit 2009, fondi i prokurorisë është minus 8 milionë lekë, para këto që kërkojmë të shtohen në fondin e ndarë për Prokurorinë e Përgjithshme. Përveç këtyre, kërkojmë edhe rritjen e fondit prej 12 milionë lekë të tjera për investime në teknologjinë e programeve të përgjimit dhe kontrollit të internetit dhe investimeve të ndryshme nëpër godina të institucioneve të prokurorisë”,-tha Ina Rama në fjalën e saj.
Kryeprokurorja ka kërkuar dje në Kuvend edhe shtimin e organikës së punonjësve të këtij institucioni, nga 807 që janë sot në 822 punonjës. Kjo kërkesë për shtim të stafit të punës u kërkua edhe nga zvkryetari i KLD-së, i cili vuri theksin e kërkesës në shtimin e inspektorëve të KLD-së të cilët janë 12 dhe kërkoi të bëhen 17, pasi sipas tij ka një volum të madh ankesash, duke kërkuar edhe shtimin e punonjësve të administratës. Në debatet para anëtarëve të Komisionit të Ligjeve nuk mbetën pa u përfshirë edhe deputetët e opozitës, të cilët e vlerësuan shkurtimin e fondit për institucionet e pavarura të drejtësisë, si ndëshkim dhe favorizim të institucioneve qeveritare, si në fonde, ashtu edhe në shtim të organikës së administratës.
Enkelejd Alibeaj
I pari që ka dalë para anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Ligjeve për të diskutuar mbi projekt-buxhetin e parashikuar nga qeveria ka qenë ministri i Drejtësisë. Ai u shpreh i kënaqur në lidhje me buxhetin e caktuar për vitin 2009
Kreshnik Spahiu
“Kërkojmë të konsideroni nevojat e vlerësuara prej nesh për rritjen e numrit të punonjësve të këshillit, ashtu edhe të investimeve të brendshme në zërin e shpenzimeve kapitale të trupëzuara të buxhetit të tij, në masën 10 milionë lekë të reja”
Ina Rama
“Ministria e Financave, në projekt- buxhetin e parashikuar i heq nga paga prokurorëve rreth 8 milionë lekë të reja, para këto që hiqen nga pagesa e 25 % të sigurimeve shëndetësore. Nga një janari i vitit 2009, fondi i prokurorisë është minus 8 milionë lekë”