E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depozitat në banka arrijnë 8 miliardë euro

Nga sistemi bankar vijnë shifra pozitive sa i përket depozitave. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në muajin gusht të këtij viti depozitat në sistemin bankar arritën në rreth 845 miliardë lekë, me rritje rreth 14% krahasuar me gushtin e 2010-ës. I gjithë viti 2011 ka regjistruar shifra përmirësuese për arkëtimet në bankat vendase, me rritje progresive nga muaji në muaj. Ajo që vihet re është fakti i një rritjeje të ulët të depozitave në lekë, sidomos gjatë korrik-gushtit, prej vetëm 1 miliard lekësh. Rritjen e ndjeshme të depozitave në muajin gusht e kanë dhënë depozitat në valutë, në vlerën e rreth 21 miliardë lekëve. Rritja e depozitave në valutë ndodh kryesisht në muajin gusht, që vjen si pasojë e depozitimit të të ardhurave nga emigrantët. Sipas bankierëve, kriza në Greqi ka luajtur rol pozitiv në depozitat shqiptare, sepse shumë emigrantë kanë tërhequr kursimet nga bankat greke për t’i depozituar ato në bankat shqiptare. Sa i përket kredive, në muajin gusht kanë pësuar rritje prej 13% krahasuar me gushtin e një viti më parë. Por në peshën e kredive vazhdon të dominojë kredia për biznes, ndërkohë që kredia për individë po jep shenja negative. Gjatë korrik-gushtit 2011 është vënë re rënie e kredisë për individë dhe një rritje prej 2 miliardë lekësh e kredisë për biznes. Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2011, gjendja e sistemit financiar dhe e sektorit bankar vlerësohet e qëndrueshme. Sektori bankar ka zgjeruar më tej veprimtarinë dhe ka rritur peshën e tij në ekonominë e vendit. Situata e likuiditetit paraqitet e mirë, në kushtet kur rritja e depozitave të publikut vijon me ritme të kënaqshme; ato mbulojnë më shumë se një herë vlerën e kredive dhe huamarrja nga jorezidentët është në nivele të ulëta. Të dhënat tregojnë që ritmi i rritjes së kredisë po përmirësohet, por cilësia e portofolit të kredisë ka vijuar të bjerë. Sektori bankar ruan ritme të qëndrueshme të rritjes së të ardhurave neto nga interesat dhe të fitimit operativ bruto. Por rritja e nevojshme e fondeve rezervë për mbulimin e rrezikut të kreditit ka ndikuar në rënien e rezultatit financiar neto të sektorit bankar, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, rezultati financiar vijon të mbetet pozitiv dhe i përqendruar. Analiza e qëndrueshmërisë ndaj rreziqeve të ndryshme tregon që rreziku i kreditit përfaqëson burimin kryesor të rrezikut për sektorin bankar. Më tej, sektori bankar paraqitet më i mbrojtur nga rreziqet e drejtpërdrejta të tregut, por mbetet i ekspozuar ndaj efektit mbi cilësinë e kredisë, të lëvizjeve të padëshiruara në kursin e këmbimit dhe në normat e interesit.

Sipas bankierëve, kriza në Greqi ka luajtur rol pozitiv në depozitat shqiptare, sepse shumë emigrantë kanë tërhequr kursimet nga bankat greke për t’i depozituar në bankat shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›