Greqi, zbulohet evazioni prej 37 miliardë eurosh
Grekët, me një nivel të borxhit publik prej 357 miliardë eurosh, të barabartë me 165% të prodhimit të tyre të brendshëm, i detyrohen shtetit rreth 37 miliardë euro. Këto nuk janë parashikime mbi ekonominë informale të vendit, por statistika të sigurta mbi evazionin fiskal të shpallura nga ministri i Financave greke, Evangelos Venizelos. Por ministri në deklaratën e tij është shprehur se në shërbim të ekonomisë së vendit të tij do të publikojë dhe emrat e evazorëve, në një lloj ‘liste turpi’ e përbërë nga 15 mijë persona. Kjo lëvizje sipas analistëve vjen me qëllimin për të bindur qytetarët të paguajnë taksat, një detyrim publik shpeshherë i nëpërkëmbur në Greqi. Autoritetet shtetërore greke deklarojnë se falimenti i tyre tashmë ka dy fytyra, atë të një sistemi qeverisës, i cili i dërgon 80% të shpenzimeve shtetërore vetëm drejt rrogave dhe pensioneve, ndërsa tjetra, më pak e njohur por njësoj shkatërruese nga pikëpamja e barazisë sociale, nivel i evazionit fiskal apo shmangies së pagesës së taksave në vlerën e 30 miliardë euro në vit, për një prodhim të përgjithshëm, i cili nuk i kalon 280 miliardë euro. Diagnoza e institucionit vlerësues ka arritur në përfundimin se ekonomia informale greke përfaqëson pothuajse 27% të prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa vlera e ndërhyrjeve korruptive llogaritet në 8% të prodhimit. Për më tepër, sipas statistikave të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, deri në vitin 2010, 75% e punonjësve grekë deklaronin të ardhura në limitin e lejueshëm ligjor prej 12 mijë eurosh në vit.