Depozitohen në AVA formularët A1
Ka përfunduar dje faza e parë përgatitore e Maturës Shtetërore. Formularët A1 dhe A1z janë depozituar në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të nxënësve nga të gjitha drejtoritë dhe zyrat rajonale arsimore. Tashmë, pritet informatizimi i të dhënave të maturantëve dhe hartimi i formularit A2, që pritet të paraqitet në shkolla në fillim të muajit të ardhshëm. Ndërkohë, më 1 prill do të nisë edhe aplikimi për nxënësit që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë shtetit.
Formulari A1
Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të nxënësve ka marrë tashmë në dorëzim të gjithë formularët A1 dhe A1z nga drejtoritë arsimore rajonale dhe pritet t`i hedhë të dhënat e maturantëve në sistemin informatik të ngritur posaçërisht për maturën. Pas kësaj faze, çdo gabim i kryer në plotësimin e formularit, nuk mund të korrigjohet dhe do të duhet paraqitja në AVA e kandidatit për të konfirmuar identitetin e tij.
“Në udhëzimin e Maturës Shtetërore është përcaktuar që shkollat kanë afat deri më 25 mars për të dorëzuar në drejtoritë arsimore rajonale ose në zyrat arsimore të gjitha formularët A1 dhe A1z të plotësuar nga maturantët, – bëjnë të ditur burime nga Ministria e Arsimit. - Tashmë të dhënat do të përmblidhen nga AVA dhe do të pritet hartimi i regjistrit të sivjetshëm të Maturës Shtetërore”.
Formulari i aplikimit për lëndët me zgjedhje këtë vit është ndarë në formularin A1 dhe formularin A1z, i pari për të dhënat personale të kandidatit dhe i dyti për lëndët me zgjedhje. Vitin e kaluar këta formularë ishin të integruar në formularin A1.
Ndërkohë, deri më datën 1 prill, Ministria e Arsimit do të publikojë formularin A2, sipas udhëzimit, që shërben për degët e shkollave të larta që përzgjedh kandidati. Këta formularë duhet të dorëzohen përpara datës 30 qershor në komisionet përkatëse.
Nxënësve jashtë shtetit
Ndërkohë, nxënësit që kanë përfunduar studimet jashtë shtetit, duhet të paraqiten pas datës 1 pranë Ministrisë së Arsimit. Ata duhet të paraqesin në Ministrinë e Arsimit nga data 1 deri më 15 prill një kërkesë me shkrim për të vazhduar shkollën e lartë publike; dëftesat origjinale me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara dhe pasaportë, certifikatë lindjeje me fotografi ose letër njoftimi.
“Nxënësit që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore (provimet me detyrim D1 dhe D2 dhe ato me zgjedhje Z1 dhe Z2), për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë publik duhet të japin provimet me zgjedhje”, – përcakton udhëzimi i ministrit Beja.
Universiteti i Vlorës
Kritere të reja për pranimin në vitin e ardhshëm
Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës ka vendosur një sërë kriteresh të reja, mes të cilave, nota minimale 6, për pranimet në vitin e ardhshëm akademik. Rektori i këtij institucioni të arsimit të lartë, prof. Tanush Shaska, tha dje se aplikimi i këtij kushti është pjesë e masave që po merren në funksion të rritjes së cilësisë dhe transformimit të universitetit në parametrat bashkëkohorë. “Gjatë vitit të ardhshëm akademik, nuk do të pranohet më asnjë student që do të ketë notën mesatare të shkollës së mesme më të ulët se 6”, - sqaroi Shaska. Sipas tij, nuk mund të pretendohet për cilësi, nëse kontigjenti i studentëve do të jetë i dobët. Për Shaskën, Universiteti i Vlorës synon të përgatisë specialistë të aftë, në përshtatje me kërkesat në rritje të shkencës dhe të shoqërisë. Pak ditë më parë, Universiteti i Vlorës nënshkroi një marrëveshje me Universitetin e Clausthal (Gjermani), ku parashikohet vendosja e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave, si dhe dërgimi, çdo vit për studime, i një kontigjenti studentësh vlonjatë. Në vitin e ardhshëm akademik, në universitetin gjerman, do të pranohen 25 studentë, të cilët do t’i nënshtrohen paraprakisht, një kursi intensiv të mësimit të gjermanishtes.