E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukësi vajton dy policët e vrarë



Qyteti verior i Kukësit është gdhirë dje i tronditur. Dy nga djemtë më të mirë të tij, dy burra që i shërbenin shtetit dhe qytetit të tyre prej shumë vitesh, kanë gjetur vdekjen nga dora e një krimineli. Çdo qytetar i Kukësit është ndjerë keq e është përlotur kur ka mësuar për lajmin e kobshëm në shtëpinë e tyre, në këtë qytet të vogël mes maleve. Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, dy policët që u vranë mbrëmjen e së hënës teksa po merrnin detyrën e tyre, janë përcjellë mes lotësh e dhimbjeje në banesën e fundit. Njerëzit veshur me të zeza kanë shkelur në dëborën e fundit të këtij dimri në një hap mortor, duke çuar në varreza dy djem, që për shkak të detyrës nuk do të jetojnë më. Ashtu siç e do tradita shqiptare, në dhimbje të qëndron pranë i njohuri dhe i panjohuri. Gjithë kuksianët kanë shkuar dje t’iu shtrëngojnë duart familjarëve të tyre, duke u thënë një fjalë ngushëllimi e duke u kërkuar që të qëndrojnë të fortë.

Ceremonia

Nuk është hera e parë që shteti humb njerëz të tillë, njerëz që vriten në krye të detyrës. Në fshatin Shënmëri të Kukësit dje nuk ishin vetëm miq e dashamirës të familjeve të të vrarëve, por dhe zyrtarë të lartë të Policisë e Shtetit. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishte zyrtarja më e lartë që ishte e pranishme në këtë ceremoni, ndërkohë që të pranishëm në ceremoninë mortore kanë qenë drejtor i Qarkut të Kukësit, Muharrem Furriku, drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, deputeti i zonës dhe përfaqësues shtetërorë. Me kurora në duar ceremonia zyrtare ka përcjellë për në banesën e fundit trupat e pajetë të policëve, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila. “Shprehim ngushëllimin për familjarët e dy punonjësve të Policisë së Shtetit, duke i siguruar se jemi pranë tyre në çdo moment për ta kaluar këtë dhimbje kaq të thellë. Njëkohësisht sigurojmë të gjithë qytetarët shqiptarë se punonjësit e Policisë së Shtetit janë të motivuar dhe të privuar për të kryer me sukses misionin e tyre në luftë kundër kriminelëve”, - u shpreh drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.

Topalli

Kryetarja e Kuvendit, e shoqëruar nga deputetë të këtij qarku, kreu vizita në shtëpitë e dy policëve të vrarë, ku shprehu ngushëllimet e sinqerta për këtë humbje të rëndë, jo vetëm për familjet, por për të gjithë policinë dhe opinionin publik shqiptar. “Ngjarja që ndodhi mbrëmë është shumë e rëndë jo vetëm për ju, qytetin e Kukësit, por për të gjithë Shqipërinë. Shteti ka humbur dy policë, djem të rinj, që punonin me besim për shtetin dhe ne të gjithë vlerësojmë maksimalisht sakrificën e tyre. Natyrisht kapja e autorit të vrasjes nuk e lehtëson dhimbjen, por ju premtoj që shteti do të mendojë për fëmijët e Shkëlzen Dobrushit dhe Ramadan Hilës, sepse ata janë fëmijët tanë”, - u shpreh ajo. Ajo mori pjesë në ceremoninë mortore dhe vlerësoi forcat e Rendit për reagimin e menjëhershëm, duke bërë të mundur arrestimin brenda pak orësh të autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë. “Unë isha e sigurt se në çfarëdo skute që krimineli të fshihej, ne do ta gjenim atë”, - u shpreh kryetarja e Kuvendit.

Ngushëllimet

Berisha: U martirizuan për të fituar pavdekësinë

Kryeministri Sali Berisha edhe pse ndodhej në një vizitë zyrtare në Bosnjë-Hercegovinë, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjarëve dhe të afërmve të dy policëve, të cilët u vranë barbarisht në krye të detyrës, inspektor Shkëlzen Dobrushi dhe inspektor Ramadan Hila. Duke shprehur ngushëllimet e tij më të thella të familjes së tij dhe të qeverisë shqiptare, në këtë mesazh ngushëllimi, Kryeministri shprehet: “Të dashur fëmijë, bashkëshortë, prindër dhe familjarë të inspektorëve, Shkëlzen Dobrushi dhe inspektor Ramadan Hila, të rënë në detyrë, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ju shpreh ngushëllimet më të thella për humbjen e jetës së prindërve, bashkëshortëve dhe bijve tuaj më të dashur, Shkëlzen Dobrushit dhe Ramadan Hilës. Rënia e tyre me nder në krye të detyrës, në mbrojte të jetës, sigurisë dhe rendit të qytetarëve shqiptarë, është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen tuaj të nderuar, por për të gjithë Policinë e Shtetit, Kukësin dhe mbarë Shqipërinë”. Ai i ka cilësuar ata heronj duke u shprehur: “Inspektorët Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila u martirizuan dje për të fituar pavdekësinë, në altarin e të rënëve të kombit, i cili do t’u jetë atyre përjetë mirënjohës. Ndërsa ai që shkrehu mbi ta zjarrin vdekjeprurës, do të marrë ndëshkim shembullor dhe të merituar, për aktin e tij makabër”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›