Copy Right-BE: 15 milionë gjoba ose prangat
Kur pritet finishi i pritshmërisë së shqiptarëve për ta ndjerë veten pjesë integrale të Evropës, një prej kushteve kryesore është edhe respektimi i të drejtës së autorit. Mbrojtja e produktit intelektual sipas ligjit të miratuar në 2005 del jashtë loje me premisat e hyrjes në BE. Kështu Zyra për të Drejtat e Autorit është përfshirë kohët e fundit në një fushatë përgatitjeje nga e para të ligjit të ri, që kërkon më shumë volum, nga ç’ishte impenjimi me atë të 2005. Prej muajsh pranë kësaj zyre po punohet me adaptimin e legjislacionit të ri të “copy right”-it, kur një nga çështjet më të ndjeshme për piraterinë, është ndryshimi i ndëshkimit, që ka të bëjë me rritjen e masës së gjobës deri në heqje lirie. Albana Pulaj, përgjegjëse e sektorit të regjistrimit-certifikimit dhe inspektimit pranë Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit tregon se është krejtësisht e arsyeshme rritja e gjobës si masë ndëshkimore për shkelësit e të drejtës së autorit, duke na dhënë shifrën e dhjetëfishuar të saj; nga 10 mijë lekë që ishte me ligjin e vjetër, tani kjo gjobë do të shkojë deri në 1 milion lekë. Ndërsa akoma nuk është përfunduar ky ligj, masa ndëshkimore është ndër saktësitë e përcaktuara deri tani, ku parashikohet për shkelësit, piratët, edhe masa për heqje lirie.
Botimet janë fusha ku shkelja e të drejtës së autorit ka kaluar caqet e kontrollit, qoftë nga mangësitë e kontratës që lidhin shtëpitë botuese me autorët, ashtu dhe dalja e botimeve në treg ku e drejta morale është fenomeni më i përhapur në pirateri siç është për shembull heqja e emrit të autorit dhe mospagesa. Pulaj na tregon se akoma në Shqipëri autorët nuk e kanë ndërgjegjësimin e plotë se për çdo shkelje nga palët kontraktuese autorët duhet të marrin përgjegjësinë e denoncimit pranë ZSHDA.
Në këtë intervistë për “standard”, e rezervuar për shkak të ligjit të ri në proces të së drejtës së autorit, Pulaj ndalet në dy hallka kryesore; atë të ndryshimit të ligjit, dhe fenomenit të piraterisë siç janë botimet.
Si parashikohen masat ndëshkimore (gjobat) ndaj subjekteve kundërvajtës, sipas draftit të ri të ligjit për të drejtën e autorit?
Pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të” (më tej LDA) dhe pas ngritjes dhe funksionimit të Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit, në prill 2007, krijuar me VKM nr. 232, datë 19.04.2006 “Për krijimin dhe funksionimin e ZSHDA”, respektimi i të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura, filloi të ketë një ndjeshmëri jo vetëm te mbajtësit e të drejtës, por edhe te subjektet përdorues/shfrytëzues të veprave të mbrojtura me të drejtë autori. Përveç detyrave dhe përgjegjësive të tjera, ZSHDA ka si kompetencë ligjore, nëpërmjet inspektorëve të vet, monitorimin e respektimit të të drejtave dhe inspektimin në treg të subjekteve që përdorin apo shfrytëzojnë për qëllime tregtare produkt me të drejta autori, si edhe ndëshkimin e tyre në rast konstatimi të shkeljes së këtyre të drejtave.
Që nga krijimi e deri më sot, gjobat e vendosura nga inspektorët e ZSHDA-së variojnë në vlera nga 10.000 lekë (të reja) deri në 50.000 lekë të reja.
Duke pasur parasysh se vendi ynë ka dhe duhet të përmbushë një sërë standardesh të kërkuara nga BE, dhe që gjejnë shprehje edhe në dokumentet politike të qeverisë shqiptare siç janë PKZ–MSA dhe Dokumenti i Partneritetit Evropian, një fushë mjaft e rëndësishme është dhe Produkti Intelektual, arritja e standardeve të njëjta të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të autorit me ato komunitare, solli si nevojë rishikimin tërësor të ligjit 9380, i cili midis të tjerash parashikon edhe rritjen e vlerës së gjobave dhe sanksionime më të rrepta të shkelësve të të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura.
Konkretisht gjoba minimale për disa kategori kundërvajtjesh fillon nga 100.000 lekë (të reja) deri në 1.000.000 lekë. Për disa kategori të tjera kundërvajtjesh nga 300.000 lekë deri 1.5 milion lekë. Kjo gjobë dyfishohet në vlerë nëse kundërvajtësi është person fizik a juridik dhe ka siguruar përfitim ekonomik të paligjshëm nga shfrytëzimi tregtar i veprave. Përveç kundërvajtjeve administrative, drafti i ri parashikon për shkeljen e disa dispozitave të LDA-së ndëshkime penale me gjobë dhe/ose heqje lirie.
Por, këto sanksione duhet të harmonizohen nëpërmjet ndryshimeve që Ministria e Drejtësisë duhet të iniciojë për propozimin e amendimeve në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.
Cilat janë procedurat e shqyrtimit të ankimimeve ndaj gjobave të vendosura nga inspektorët e ZSHDA-së?
LDA në nenin 132 të tij përcakton procedurat e ankimimit administrativ, çdo subjekti të ndëshkuar me gjobë nga inspektorët e ZSHDA-së për kundërvajtjen administrative të konstatuar nga këta të fundit. Sektori i Gjykimit dhe Administrimit të Ankimimeve është struktura kompetente në ZSHDA që shqyrton, ndjek dhe zbaton këtë procedurë, në bazë të nenit 132 të LDA-së.
A mund të flitet në shifra sesa fatura, me gjoba, ka prerë Zyra e të Drejtës së Autorit dhe sa prej tyre janë lënë në fuqi?
Gjithsej janë shqyrtuar dhe gjykuar 47 ankimime ndaj gjobave të vendosura nga inspektorët e ZSHDA-së. Pjesa tjetër prej afro 200 gjobash janë lënë në fuqi dhe pasi kanë kaluar në titull ekzekutiv, i janë përcjellë për ekzekutim Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (dhe Drejtorive përkatëse Rajonale) për vjeljen e tyre, pasi në bazë të nenit 133 të LDA-së këtë detyrim ligjor e kanë organet tatimore.
Sa prej këtyre subjekteve të ndëshkuara kanë lidhje me botimet, pasi dimë që kjo është pika më referuese e mbrojtjes intelektuale? Dhe cilat janë masat ndëshkimore të vendosura ndaj tyre?
Nga Sektori i Gjykimit dhe Administrimit të Ankimeve janë gjykuar 12 raste, ku palë të ankimuara janë shtëpi botuese, nga autorët, kryesisht të librave shkollorë të ciklit 9-vjeçar dhe i mesëm. Objekt i ankimimit ka qenë: “Cenim i të drejtave morale (mospërmendje e emrit në tekstin e botuar) dhe të drejtave ekonomike të autorit/rëve (mos shpërblimi i autorëve dhe fshehja e tirazhit të botuar, shpërndarë e shitur”. Në rastet e gjykuara, ZSHDA ka shqyrtuar me vëmendje dhe ka zhvilluar një proces administrativ gjykues, duke u dhënë mundësi palëve si asaj ankimuese dhe të ankimuar të provojnë ligjërisht të drejtat e tyre dhe marrëdhënien juridike (kontraktuale) mes palëve, duke argumentuar në bazë të ligjit çdo aspekt të pretendimit të cenimit të të drejtave apo të kundërshtimit të këtyre pretendimeve. Në të gjitha rastet vendimi i ZSHDA-së për këto procese administrative, pasi është ankimuar në rrugë gjyqësore, është lënë në fuqi nga Gjykatat. Rreth 4 nga 6 çështje të ankimimit në gjykatë, të lënies në fuqi të gjobave, janë duke u gjykuar në Shkallën e Parë, dy prej të cilave janë rrëzuar nga gjykata, pasi nuk është ezauruar rekursi administrativ.
Si paraqiten kontratat e botimit që janë depozituar në këto raste, pasi dihet që është kontradikta e vazhdueshme mes autorit dhe botuesit?
Kontratat e botimit paraqiten të paplota dhe jo në përputhje me elementët që përcakton LDA: si tirazhi, i cili pothuajse mungon; çmimi i shitjes; periudha e vlefshmërisë së kontratës ose mungon, ose në rastin kur është e shprehur këto afate shkelen, pasi prodhimi apo ribotimi vazhdon përtej kësaj periudhe vlefshmërie, me gjithë kundërshtimet e autorëve (kundrejt shtëpive botuese) kur gjejnë tekstet e ribotuara pa autorizimin e tyre në treg. Për sa i takon botimit të librit shkollor, problematika është më e madhe sesa për librat artistikë etj., pasi asnjë nga kontratat me autorët nuk përcakton tirazhin, me justifikimin që tirazhi është i pamundur të specifikohet, për sa kohë kemi të bëjmë me tekste alternativë për të njëjtën lëndë dhe është në vullnetin e Bordeve Pedagogjike të çdo shkolle të përzgjedhë një tekst shkollor, midis teksteve/librave alternativë.