Masa; Gjykata lë në burg 24 të akuzuarit e rrjetit të falsifikimeve të kartëmonedhave
Gjykata e Tiranës ka vlerësuar si të drejta masa t e arrestit dhënë në mungesë për 24 persona, pjesë e rrjetit të falsifikatorëve të arrestuar disa ditë më parë, ndërkohë që ka ndryshuar masën vetëm për dy prej tyre. Seancat e vleftësimit të kushteve të zbatimit të masave u zhvilluan në dy ditë dhe kanë përfunduar ditën e djeshme. Të akuzuarit janë munduar të mohojnë akuzat gjatë seancave, ndërkohë që pretendimet e tyre dhe avokatëve përfaqësues nuk janë marrë në konsideratë nga gjykata, për shkak të provave që vuri në dispozicion organi i akuzës. Hetimet zhvilloheshin prej 6 muajsh dhe indicie kanë qenë denoncimet e rreth 100 qytetarëve të ndryshëm dhe subjekteve private. Policia kishte rënë në gjurmë të tyre, por ishte duke pritur rastin e volitshëm për t’u dhënë goditjen e duhur, ndërkohë që përgjatë 6 muajve kishte arritur të siguronte përmes metodave speciale provat e duhura për t’i mbërthyer 26 personat e përfshirë, mes të cilëve një femër dhe tre minorenë. Shtetasit e arrestuar akuzohen për veprat penale “prodhim të kartëmonedhave të falsifikuara”, “vënien në qarkullim të tyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërkohë që nga materialet e sekuestruara në banesat e tyre, dyshohet se këta shtetas kanë kryer edhe një sërë veprash të tjera penale. Sipas burimeve nga akuza, grupi i strukturuar kriminal vepronte në disa qytete të vendit, konkretisht në Tiranë, Durrës, Fier, Berat, Sarandë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Shkodër dhe Kukës. Gjykata ka lënë në masën “arrest me burg” shtetasit Altin Lala, 30 vjeç; Besnik Gaci, 27 vjeç; Avdi Gjika, 24 vjeç; Sali Prendi, 23 vjeç; Dritan Elezaj, 25 vjeç; A. C., 16 vjeç; Bilbil Sefa, 31 vjeç; Dëfrim Mata, 21 vjeç; Roland Skuqi, 23 vjeç; Altin Murani, 25 vjeç; Arben Seferi, 27 vjeç; Astrit Seferi, 24 vjeç; Artur Pashka, 21 vjeç; Eduart Pashka, 24 vjeç; Shpëtim Mataj, 22 vjeç; Artan Halilaj, 21 vjeç; Alfren Bushgjokaj, 26 vjeç; Xhevahir Koldashi, 21 vjeç; Gazmend Çerpja, 27 vjeç; Ahmet Meçi, 22 vjeç; Muhamd Murrani, 20 vjeç; E.D., 17 vjeç dhe E.I., 17 vjeç. Ndërkohë që gjykata ndryshoi masën dhe la me “detyrim paraqitje” shtetasit Anila Kodra, 18 vjeçe dhe Aristogon Pashka, 22 vjeç. Sipas hetimeve, këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për më shumë se një vit kanë prodhuar kartëmonedha të falsifikuara të prerjeve 500, 1000, 2000, 5000 lekë të reja. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se këto kartëmonedha prodhoheshin në Tiranë, në afërsi të rrugës “5 Maji”, ku nga kontrolli i kryer janë gjetur pajisjet e nevojshme për këtë prodhim të jashtëligjshëm. Rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer shpërndarjen e kartëmonedhave të falsifikuara, kryesisht në Tiranë, në qendrat spitalore dhe në subjekte e biznese private.