Depresioni, 25% e shqiptarëve kërkojnë ndihmë te psikiatri
Mjekët: Ka të dhëna fiktive se sa pacientë dalin nga spitali psikiatrik, sepse një pjesë e madhe e tyre hyjnë në këtë vend vetëm për të marrë Kemp
Sëmundjet mendore kanë prekur në masë shqiptarët dhe sipas të dhënave ¼ e tyre vuajnë nga çrregullimet e ankthit dhe depresionit. Shqetësimi ngrihet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka realizuar një projekt 11-vjeçar në vendin tonë në fushën e shëndetit mendor, duke arritur në përfundimin se në vendin tonë po pëson rritje galopante numri i njerëzve me çrregullime psikike. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, brenda një viti 25% e popullsisë shqiptare i drejtohet qendrave të shëndetit mendor dhe spitaleve psikiatrike, pasi kanë shqetësime mendore. Sipas specialistëve, dominojnë çrregullimet e ankthit dhe depresionit. Në një aktivitet mbi sfidat e shëndetit mendor mes OBSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, mjekët theksuan se numri i psikiatërve dhe psikologëve në raport me popullsinë është i ulët. Sipas tyre, 1 psikiatër duhet t’i përgjigjet afro 34 mijë banorëve, ndërsa1 psikolog mbi 100 mijë personave. Eksperti i shëndetit mendor, Anastas Ruli, thotë se sëmundje të tilla janë vështirë për t’u zbuluar dhe ata që janë diagnostikuar si të tillë vuajnë në psikiatri nga mungesa e barnave të rimbursueshme dhe shtretërit e pakët dhe të vjetruar. Ndërkohë që edhe reforma që këta të sëmurë të trajtohen në qendra komunitare nuk ka funksionuar. Por, ky nuk është i vetmi shqetësim, pasi autoritetet e shëndetit mendor thonë se po përballen me një fenomen që janë shtrimet e panevojshme të personave me çrregullime, që në fakt është një formë abuzimi nga vetë pacientët, një pjesë e të cilëve qëndrojnë në Psikiatri vetëm për t’u trajtuar me pagesë paaftësie nga shteti, që është Kempi. Sipas specialistëve të shëndetit mendor në vend, ka një numër vetëm fiktiv sesa pacientë dalin nga spitali psikiatrik, sepse një pjesë e madhe e tyre hyjnë në këtë vend vetëm për të marrë Kemp. Ndërkohë që përballë kësaj situate, qëndron edhe e kundërta, pasi shumë nga pacientët e trajtuar në spital dalin të pakuruar plotësisht prej tij, arsyeja kryesore është kapaciteti i ulët i spitaleve psikiatrike. Ndaj, ajo që do të quhej reformë, sipas Rulit, do të ishte ngritja e shtretërve psikiatrikë edhe në spitalet e përgjithshme, mjekë profesionistë dhe secila prefekturë në vend të ketë një pavijon për të sëmurët mendorë. Kjo do të bëhet e mundur falë ligjit të ri për shëndetin mendor, që sipas ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, pritet të miratohet së shpejti edhe nga qeveria. Deklaratën për ligjin e ri të shëndetit mendor ministri Vasili e ka bërë në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me OBSH, me rastin e përfundimit të projektit të saj të shëndetit mendor. Në këtë takim profesionistësh është prezantuar dhe diskutuar projektligji i ri “Për Shëndetin Mendor” dhe draft-plani për veprim dhe zhvillim të shërbimeve të shëndetit mendor në vendin tonë për periudhat 2011-2020. “Të gjithë pjesëmarrësit janë persona kyç. Shumicës së tyre nuk i ka munguar kuraja për t’iu futur një rruge të tillë, që daton më ’99. Një sërë dokumentesh janë miratuar gjatë kësaj periudhe dhe është bërë një punë e jashtëzakonshme për deinstucionalizimin e të sëmurëve. Kjo gjë mund të arrihej vetëm me ngritjen dhe fuqizim të shërbimeve shëndetësore në të gjithë territorin”, tha ministri Vasili. OBSH mbyll një projekt 11-vjeçar me shëndetësinë shqiptare. Gjatë këtyre viteve u ngritën disa qendra të shëndetit mendor në disa rrethe të vendit. Sipas përfaqësuesve të OBSH-së kjo marrëveshje pritet të rinovohet.
Problemet neurologjike, 50 mijë konsulta në vit në QSUT
Rritet ndjeshëm numri i pacientëve që i drejtohen bluzave të bardha për të marrë konsulta mjekësore për problemet neurologjike. Brenda një viti, vetëm në Spitalin e Neurokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kryhen 50 mijë konsulta që kanë të bëjnë me probleme neurologjike dhe psikiatrike. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e QSUT-së, numri mesatar i konsultave në një vit është 50 mijë, nga të cilat 15 mijë kryhen në Neurokirurgji me 6 mijë pacientë që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia, 15 mijë në Neurologji dhe 20 mijë në Psikiatri. Pas kalimit të fazës së konsultave për problemet neurologjike dhe psikiatrike, më shumë se 22 mijë pacientë i nënshtrohen ekzaminimeve neuro-fiziologjike që kryhen në departamentin e Neurokirurgjisë. Ndërkaq, sipas të dhënave nga QSUT, edhe numri i ndërhyrjeve kirurgjikale që kryhen në Spitalin e Neurokirurgjisë ka një tendencë në rritje. Rreth 1500 operacione, me një tendencë 500-700 ndërhyrje për 1 milion banorë kryhen çdo vit në Spitalin e Neurokirurgjisë, ndërkohë që numrin më të madh të ndërhyrjeve kirurgjikale e zënë pacientët me tumor.